Memeti: Elitat intelektuale nuk duhet të flasin me gjuhën e politikës dhe për interesa të pushtetit

Abdulla Memeti

Përqasje mbi arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore: aspiratat, sfidat dhe perspektiva
ELITAT INTELEKTUALE NUK DUHET NË FLASIN ME GJUHËN E POLITIKËS DHE PËR INTERESA TË PUSHTETIT
(Kur elitat intelektuale flasin e veprojnë me mendjen e politikës dhe për interesat e pushtetit, nuk mund të ketë arsim cilësor, progres shoqëror, zhvillim e përparim të kombit e të shtetit.)
Pse heshtin e nuk bëzajnë sot gjithë ato mendje “gjeniale” ndër shqiptarët në Maqedoninë Veriore, ata që dikur mbanin gajle të madhe pse universitetet e shqiptarëve nuk bashkohen dhe fuzionohen në një të vetëm, që besonin se arsim të lartë cilësor, studime moderne dhe elitare mund të sigurohen vetëm me hapjen e një universiteti të ri në Shkup, përkrah dy universiteteve ekzistues, ndërsa sot, kur arsimi i lartë, universitetet dhe shkolla shqipe në përgjithësi përballen me shumë probleme, nuk gjejnë kohë e nuk kanë ide se si mund të tejkalohet kjo gjendje, si mund të dilet nga kjo situatë dhe të hapen perspektiva të reja për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore.
Ja pse duhet ta kujtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit Nënë Tereza në Shkup
Pavarësisht nga qëllimet e pushtetit, pse solli vendim për themelimin e një universiteti të ri me mësim në gjuhën shqipe në Shkup, përkundër ekzistimit të dy universiteteve të tjerë për arsimimin e shqiptarëve në këtë shtet, ku studiojnë edhe një numër i konsiderueshëm i studentëve nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, themelimi edhe i një universiteti me seli në Shkup është dashur të përshëndetet dhe të përkrahet pa rezervë nga të gjithë shqiptarët, sepse hapja e çfarëdo shkolle në gjuhën amtare shënon një hap të rëndësishëm në ngritjen dhe zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve në nivel kombi, kudo, kurdo e nga kushdo që të hapet, pavarësisht nga implikimet e politikës që mund t’i gërshetojë edhe interesat e veta në këtë çështje, hapja e një universiteti shënon ngjarje të rëndësishme dhe është një vlerë e re shtesë për atë popull.
Pavarësisht se me hapjen e këtij universiteti pushteti dhe politika kanë synuar ta godasin në formë tinëzare universitetin e parë në gjuhën amtare, Universitetin Shtetëror të Tetovës, përmes ligjit ta ndërpresin punën e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në këtë universitet, me disa drejtime studimi tepër të rëndësishme, si ndërtimtaria, arkitektura, gjeodezia, inxhinierie ekonomike etj., kinse për t’ia bashkëngjitur universitetit të ri që po themelohej në Shkup; pavarësisht se pushteti i asaj kohe e miratoi vendimin për hapjen e një universiteti të ri edhe në gjuhën shqipe, sa për ta siguruar mbështetjen e faktorit politik shqiptar për jetësimin e një universiteti të ri, Universitetin Damjan Gruev, si projekt më tepër politik se sa projekt arsimor, për t’ia kundërvënë Universitetit më të vjetër në Shkup, atij “Shën Kirili dhe Metodi”, ku pushteti i qeverisur nga OBRM-PDUKM nuk arriti asnjëherë ta vendos nën kontroll të vetin. Projekti për hapjen e një universiteti “modern” me emrin Universiteti Damjan Gruev, siç ishte planifikuar, nuk arriti të jetësohet asnjëherë, edhe pse Ligji për themelimin e tij nuk është pezulluar deri më sot (sa jemi në dijeni).
Edhe Universiteti Nënë Tereza, i planifikuar si një projekt më tepër politik se sa arsimor, pavarësisht se edhe pas gjashtë vjetëve nga themelimi i tij nuk ka arritur të ngrihet në një universitet modern dhe elitar, siç kanë pretenduar disa profesorë, studiues dhe dashamirë të arsimit shqip. Ky universitet ende vazhdon të punojë në objekte me qira, pa infrastrukturë të nevojshme dhe buxhet të mjaftueshëm.
Sidoqoftë, hapja e një universiteti me mësim në gjuhën shqipe në Shkup ka qenë ëndërr e shumë profesorëve, arsimdashësve dhe atdhetarëve shqiptarë, dhe si i tillë është dashur dhe duhet të përkrahet e ndihmohet me të gjitha mundësitë dhe në të gjitha format e mundshme, si një universitetit ku do të studiojnë brezat e ri të shqiptarëve nga rajoni i Shkupit dhe rajonet tjera më afër tij, pavarësisht se ekzistojnë dy universitete të tjera në Tetovë dhe disa fakultete të ndarë në Shkup dhe Kumanovë, ose si degë të Universitetit të Tetovës, të Universitetit të Evropës Juglindore, si edhe Fakulteti Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, apo edhe Fakulteti i Studimeve Islame në kuadër të BFI-së, në Kondovë të Shkupit. Me këtë rast duhet të përmendim se në Shkup dhe qytete të tjera funksionojnë një periudhë të gjatë edhe disa universitete dhe kolegje private ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Që nga themelimi i Universitetit Nënë Tereza në Shkup, duke qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i aktiviteteve dhe zhvillimeve për realizimin e të drejtës së shqiptarëve në Maqedoni për arsimim në gjuhën amtare në nivel universitar, nga vitet e para të demokracisë, 1991-1994 dhe pas fillimit me punë të Universitetit të Tetovës, si institucioni i parë i arsimit të larë në gjuhën shqipe, asnjëherë nuk kam qenë kundër hapjes edhe të universiteteve të tjerë, si Universiteti i Evropës Juglindore (2001) apo Universiteti Nënë Tereza (2015), por asnjëherë nuk kam qenë euforik, se me hapjen e tyre do të mund të dëmtohet projekti kombëtar, Universiteti i Tetovës, si institucion i parë dhe prijatar i hapit të madh të shqiptarëve në këtë shtet, për arsimim në nivel të arsimi të lartë, për zhvillimin dhe përparimin e popullit shqiptar në këto hapësira, për aspiratat historike të shqiptarëve për të qenë të lirë në tokën e tyre dhe të barabartë me popujt tjerë fqinjë, në Maqedoni dhe në shtetet tjera në rajon e më gjerë.
Asnjëherë nuk jam pajtuar me ata që kanë menduar dhe punuar me koncepte të ngushta, pa vizion dhe qasje ndaj problemeve të shqiptarëve, për hapjen e perspektivave të reja dhe synimin e progresit të domosdoshëm. Jam habitur atëherë dhe vazhdoj edhe sot t’i gjej arsyet për kundërshtimin e disa profesorëve, veprimtarëve dhe arsimdashësve shqiptarë, se me hapjen e Universitetit të Evropës Juglindore, si projekt privat dhe me iniciativë evropiane, më vonë edhe hapja e Universitetit Nënë Tereza në Shkup, kinse rrezikohet puna dhe e ardhmja e Universitetit të Tetovës. Përvoja e derisotme i ka demantuar katërçipërisht këta profesorë, studiues, analistë dhe veprimtarë shqiptarë. Koha i ka demantuar, sepse horizonti i kufizuar i dijes, konceptet dhe vizioni i tyre janë dëshmuar të dështuara. Njëkohësisht, janë dëshmuar të dështuara edhe idetë e mbrapshta, disa edhe destruktive, si humbje kohe dhe energjie, shpërqendrim dhe dezorientim i opinionit, edhe idetë për “bashkimin e domosdoshëm” të dy universiteteve të para të shqiptarëve, e Universitetit të Tetovës dhe atij të Evropës Juglindore, sidomos gjatë periudhës së zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 2004 dhe më vonë. Janë dëshmuar të dështuara dhe miope edhe idetë se shqiptarët me themelimin e një universiteti “modern” dhe “elitar”, siç është Universiteti Nënë Tereza në Shkup, vetvetiu do ta humb rëndësinë, do të pushojë nevoja e ekzistimit dhe do të shuhet Universiteti i Tetovës. Kjo nuk ka mundur të ndodhë, nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë as në të ardhmen. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë sepse konkurrenca është vlerë, nuk është pengesë e dobësi. Këtë siç duket nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë ditur disa profesorë, studiues, analistë, veprimtarë dhe dashamirë të arsimit shqip, në Maqedoni dhe jo vetëm.
Me këtë rast, do të doja që këta individë, profesorë dhe studiues, ashtu siç kanë deklaruar dhe kanë shkruar, duke iu ligavitur në të shumtën e rasteve pushtetit dhe duke mbajtur anën e drejtuesve të partive politike, tani kur nuk janë tema në rend të ditës, sipas porosive të pushtetit ose nga naiviteti personal, as çështja e shkrirjes dhe bashkimit mes universiteteve me mësim në gjuhën shqipe dhe as kërkimi i shkaqeve për problemet me të cilat përballet sot arsimi i lartë dhe shkolla shqipe në përgjithësi, këta persona ta vazhdojnë aktivitetin e tyre, ashtu siç kanë ditur të shpikin dhe propagandojnë “ide gjeniale” në mbrojtjen kinse të arsimit në gjuhën amtare dhe të Universitetit të Tetovës, apo edhe universiteteve të hapur më vonë, tani e kanë rastin të dëshmojnë se ia duan të mirë arsimit, tani kur më tepër kanë nevojë brezat e ardhshëm të shqiptarëve të mësojnë dhe arsimohen në universitete moderne dhe elitare, le t’i paraqesin idetë, mendimet dhe propozimet e tyre si mund të dilet nga kjo situatë, të sigurohet arsimim cilësor, konkurrent dhe i krahasueshëm me ato në vendet tjera të botës, edhe me këtë brumë mësimdhënësish siç e kemi, edhe me këto probleme me të cilat përballet shoqëria jonë aktualisht, edhe me mungesë të investimeve për infrastrukturë, pajisje, laboratorë dhe biblioteka universitare e profesionale, edhe me këtë valë të pa ndalur të largimit të rinisë shkollore dhe studentëve të sapodiplomuar në botën e jashtme.
Këta individë, që dikur kanë menduar e propaganduar se, doemos duhet të bashkohen e fuzionohen universitetet shqiptare, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore, kinse shqiptarët në Maqedoni nuk kanë potencial për dy universitete; që kanë menduar dhe propaganduar se hapja e çdo universiteti të ri e rrezikon ekzistencën e Universitetit të Tetovës, si dhe ata që kanë menduar se me krijimin e universiteteve të reja do të sigurohet arsimim më cilësor, studime moderne dhe elitare, siç kanë deklaruar dhe shkruar ata, pa menduar se një shoqëri atë potencial që ka, me një ose me dhjetë universitete, e mëton dhe realizon atë që ia lejojnë rrethanat në një periudhë të caktuar, jo siç ëndërrojnë dhe dëshirojnë disa individë, qoftë edhe pjesë e inteligjencies elitare e atij populli. Është koha të mendojmë dhe reflektojmë, më tepër të punojmë, sa më pak t’i paragjykojmë të tjerët e të kritikojmë pa arsye.
Mësimi më i mirë që është dashur ta mësojnë shqiptarët në Maqedoni, nga historia dhe përvoja e kaluar, i shndërruar tanimë edhe në parim universal, është: Ideja dhe dija nuk mund të burgosen dhe as aspiratat për liri, barazi dhe të drejta të një populli nuk mund të ndalohen e shuhen me dhunë nga asnjë pushtet!