Kushtet në spitalin e Kërçovës, me keq se në mesjetë


I ndërtuar para rreth një shekulli, me dritare të vjetruara e të thyera dhe me kushte si në mesjetë. Kjo është pamja e spitalit të Kërçovës. Për vështirësitë e funksionimit ka pasur ankesa të vazhdueshme, por nuk ka ende zgjidhje për objektin i cili dita ditës, rrezikon të shembet mbi kokat e mjekëve dhe pacientëve, shkruan Alsat.

“Nuk ka kushte, lirisht shiheni dhe do e vërtetoni në çfarë substandarde punojmë. Jetojmë aty, punojmë aty tetë orë e si janë kushtet ngjituni dhe shiheni. Ajo mund të bjerë çdo moment, vetëm është zbukuruar nga secili drejtor i ardhur, kulmi kjo ajo por s`ka lidhje kjo. Shiheni dritaret si janë e unë aty punoj. Jo që fryn nga gjitha anët, por hotel shkuja është. I kemi njoftuar gjithë, por kur vjen ministri fotografohet tek këto pallatet e bukura dhe ikën, asnjëherë nuk futet tek ne”- deklaroi Ersen Jusufoski, mjek.

Pacientët që takuam kishin frikë të ngjiteshin shkallëve të spitalit, të cilat ishin të dëmtuara tejmase.

“Para 68 viteve kam lindur në këtë pallat pas meje. E njëjta ende është e përdorshme . fillimisht kam frikë të ngjis shkallët këtu sepse një pakujdesi e vogël do godisni kokën. Pastaj fryn në gjitha anët është. Mjekët punojnë në këto kushte por s`kanë faj ata”- tha Tane Stefanoski,pacient.

Drejtori i Spitalit të Kërçovës pranon se kushtet janë shumë të rënda, por fajin e hedh te Ministria e Shëndetësisë.

“Siç e dini tanimë, kanë kaluar gjithë tenderët dhe do i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë, sepse ka filluar ndërtimi i fazës së tretë dhe të katërt në spitalin e ri dhe shpresoj deri në vitin 2024 do e kemi këtë spital të ri. Po pajtohem me kolegët se në kushte të këqija janë në objektin e verdhë të shërbimeve specialistike dhe po bëjmë të pamundurën që këtë dimër, qoftë me donacione apo mjetet tona ta rinovojmë”- pohoi Stanko Tërpeski. Drejtor i Spitalit të Kërçovës.

Objekti i ri i spitalit në Kërçovë që ka filluar të ndërtohet që prej rreth tre dekadash ende nuk është gati. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se, punët atje po zhvillohen me dinamikë të mirë dhe se së shpejti ky objekt do të përfundojë, ndërsa nuk parashihen investime në objektin ekzistues./Alsat/