Shkruan: Fatmir Besimi, Ministër i Financave në RMV
1. Vit rimëkëmbjeje ekonomike me sfida ende të pranishme
Shkup – Thonë se optimisti qëndron zgjuar deri në mesnatë për ta pritur vitin e ri, derisa
pesimisti vetëm pret të bindet se viti i vjetër po ikën. Nga këndvështrimit i sotëm, mendoj se
kemi shumë arsye për të qenë optimistë. Vlerësoj se fundi i vitit 2021 na gjen në një situatë
dukshëm të përmirësuar në aspektin shëndetësor dhe ekonomik, me ekonomi me rimëkëmbje
solide dhe me perspektiva shumë më të mira për të ardhmen, si dhe me sfida ende të pranishme
siç është kriza energjetike dhe variantet e reja të virusit.
Ky vit kaloi në shenjën e luftës me pandeminë dhe përkrahjen e rimëkëmbjes ekonomike. Ruajtja
e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, duke përkrahur sektorët më të prekur dhe kategoritë e
ndjeshme të qytetarëve mbetën prioritetet kryesore. Në kushte të krizës shëndetësore, sidomos në
pjesën e parë të vitit me ndikim të madh në përditshmërinë e njerëzve, por edhe funksionimin
normal ekonomik të kompanive, reagimi i shpejtë dhe i targetuar i shtetit ishte me të vërtetë i
domosdoshëm. Prandaj, vazhduam me zbatimin e pakove ekonomike të prezantuara vitin
paraprak dhe vendosëm dy grupe të reja të masave shtesë, me të cilat përkrahja e përgjithshme që
i ofruam ekonomisë ne formë përkrahjeje direkte për kompanitë dhe qytetarët, garanci
dhe lehtësime tatimore arriti nivelin e 1.2 miliardë eurove ose rreth 11% të PBB-së.
Me qëllim të rivitalizimit të ekonomisë së prekur nga kriza në pakon e pestë dhe të gjashtë të
masave të prezantuara në vitin 2021, u parapanë rreth 185 milionë euro përkrahje shtesë për
ekonominë dhe kategoritë e ndjeshme. Përmes masave të ndryshme u ofrua përkrahje financiare
për pagat e kategorive të ndjeshme, kredi pa interes, përkrahje financiare për likuiditet, përkrahje
të eksportit, si dhe mbështetje e targetuar për sektorët më të prekur. Efektet pozitive të këtyre
politikave u njohën edhe në raportin e fundit të Misionit të FMN-së, ku u notua pozicionimi i
mirë i masave fiskale për zbutjen e efekteve të pandemisë, ruajtjen e punësimit dhe mbrojtjen e
kategorive më të ndjeshme, si dhe konstrukti i mirë i Buxhetit për vitin 2022 në favor të sigurimit
të kornizës për reagim fleksibil ndaj sfidave të pandemisë.
Kjo, së bashku me politikat e tjera të zbatuara nga qeveria për përkrahje të rimëkëmbjes së
ekonomisë, solli realizimin e normave të rritjes reale të ekonomisë prej 13.4% në tremujorin e
dytë dhe 3% në tremujorin e tretë të vitit 2021, me ç’rast rritja kumulative për tre tremujorët e
parë arriti në nivel prej 4.6%.Kjo rritje u arrit kryesisht nga ngritja e tregtisë me pakicë dhe me
shumicë që shënoi ngritje prej 15.9%, në tre tremujorët e parë të vitit krahasuar me vitin 2020 si
dhe shërbimet me ngritje prej 5.4%. Presim që deri në fund të vitit lëvizjet pozitive të vazhdojnë
dhe ta përfundojmë vitin sipas parashikimit tonë me rritje prej 4.1%, me mundësinë të
tejkalohet.
Fundi i vitit na shfaqi një vështirësi tjetër, përkatësisht rritjen globale të çmimeve të
energjencave dhe produkteve primare. Kriza energjetike, që lëkundi tregjet ne nivel global edhe
ato më të zhvilluarat, u shfaq si një përzierje faktorësh të shkaktuara nga nje shtim i kërkesës në
periudhën post-pandemike, axhendat e gjelbra ambicioze të disa vendeve të mëdha, si dhe
interesat gjeopolitike. Në një kontekst të tillë, ku ndikimi ndaj këtyre lëvizjeve globale dhe
çmimeve të këtyre produkteve është i pamundur, reagimi proporcional nëpërmjet ndërhyrjes
shtetërore mbeti mënyrë përmes së cilës ne mbetemi konsekuent ndaj angazhimin për ta ruajtur
dhe përmirësuar standardin jetësor të qytetarëve. Në këtë formë, sigurojmë që sa më shumë
qytetarë kan përfitime nga rritja ekonomike, gjegjësisht ajo të jetë sa më gjithëpërfshirëse.
Me mbështetje likuiditeti prej rreth 100 milionë euro për kompaninë shtetërore elektroenergjetike
“EMV” kontribuam në zbutjen e pasojave të kësaj krize me përmasa globale.Gjithashtu, me
qëllim të përkrahjes së standardit të jetesës në muajin korrik 2021, vendosëm normë
preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike për amvisëritë prej 5% (e zvogëluar dukshëm
në krahasim me nivelin paraprak prej 18% dhe ky nivel parashihet të kthehet në muajin korrik të
vitit 2023) me ç’rast vlerësoj se ndikojmë pozitivisht në zbutjen e pasojave të kësaj krize ndaj
amvisërive. Gjithashtu, u sigurua ndihmë financiare prej 1.000 denarëve në nivel mujor për
ngrohje për kategoritë e ndjeshme sociale në shoqëri, ku u ndihmuan rreth 35.000 familje dhe
9.000 pensionistë me të ardhura më të ulëta. Vijojmë me përkushtimin monitorimin e afërt të
situatës në sektorin energjetik dhe reagimin në kohë të politikës fiskale me qëllim të zbutjes së
efekteve nga kjo goditje globale energjetike.
2. Inkluzivitet, përvoja ndërkombëtare dhe rajonale në krijimin e politikave ekonomike
kredibile
Ajo që kriza na mësoi, është që në kushte të krizave ekonomike dhe sfidave globale, shkëmbimi i
përvojave, kordinimi dhe inkluziviteti janë faktorë kyç në krijimin e politikave të qëndrueshme
dhe efikase. Këndvështrimet dhe përvojat e ndryshme janë kontribut i rëndësishëm në këtë
proces. Në fakt, principet e inkluzivitetit dhe gjithpërfshirjes janë të rëndësishme në parim në
procesin dizajnimit të politikave dhe reformave të ndryshme. Në këtë frymë, këtë vit organizuam
konferencën e parë vjetore të Ministrisë së Financave në kuadër të Forumit ekonomik dhe
financiar (Skopje Economic Finance Forum 2021), me fokus rimëkëmbjen ekonomike në
periudhën post-pandemike. Në praninë e përfaqësuesve të lartë qeveritarë të vendit dhe rajonit,
institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të sektorit të biznesit dhe sferës
akademike, kishim mundësinë të diskutonim lidhur me sfidat kryesore të së ardhmes, por edhe të
nxjerrim rekomandime të vyera që tashmë po bëhen pjesë e strategjive, planeve dhe politikave
tona. Në bazë të kësaj dhe me qëllim të pasurimit përmbajtësor të SEFF-it, në kuadër të takimeve
të fundvitit më kolegët ish-ministra të financave u ngrit inicijativa për formimin e Këshillit të
ish-ministrave të financave që do të veprojë në kuadër të SEFF-it (në bazë vullnetare) në cilësin e
Bordit programor, me fokus në temat e konferencës vjetore ku marrin pjesë përfaqësues të lartë
të institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve të regjionit. Vijojmë të përkushtuar që ky forum të
bëhet tradicional, si dhe platformë e mirënjohur rajonale e diskutimit të sfidave dhe mundësive
në krijimin e politikave ekonomike, me ç’rast do të kontribuohet në rritjen e cilësisë dhe
gjithëpërfshirjes.
3. Përkrahje e ekonomisë dhe përshpejtim i rritjes përmes udhëheqjes prudente të
financave publikе
Rritja e nevojës për përkrahje financiare për më të prekurit nga kriza dhe kushtet e rënduara
ekonomike ngjallën nevojën për krijimin e një hapësire të re fiskale, përmes prioritizimit të
shpenzimeve dhe huamarrjes. Në këtë proces u udhëhoqëm nga parimet e maksimizimit të
efekteve, duke konsideruar shpenzimet dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Vlerësoj se suksesi në emetimin e euroobligacionit në muajin mars të vitit 2021, ishte mirenjohje
për këto përpjekje. Norma e arritur prej 1.625%, më e ulëta historike, në kushtet e pasigurisë së
madhe globale tregoi besimin e pjesëmarrësve më të informuar në treg, përkatësisht
institucioneve ndërkombëtare, në menaxhimin me financat publike si dhe besimin në
perspektivat ekonomike të vendit tonë. Mjetet e siguruara në vlerë të përgjithshme prej 700
milionë eurove u shfrytëzuan për rifinacim të euroobligacionit të emetuar në vitin 2014 me
normë interesi prej 3.975% në vlerë prej 500 milionë eurove. Kjo do të thotë se për shtatë vjet, sa
është edhe afati i maturimit të euroobligacionit të ri, do të kemi kursime të shpenzimeve për
interes prej 82.3 milionë eurove. Ndërkaq, pjesa e mbetur prej 200 milionë eurove u shfrytëzua
për përkrahje buxhetore, që pritet të krijojë vlerë shumëfish më të lartë se shpenzimet, duke
pasur parasysh faktin që ekonomia do të rritet dukshëm më shpejtë se norma e interesit të
euroobligacionit. Gjithashtu, marrë parasysh parashikimet për norma më të larta të inflacionit në
BE, shpenzimet tona reale për këtë euroobligacion pritet të zvogëlohen edhe mëtej.
Investimet publike, përkatësisht shpenzimet kapitale, janë kanal shtesë me të cilin shteti merr
pjesë aktivisht në alokimin dhe rialokimin e resurseve në përputhje me qëllimet strategjike, duke
i kushtuar rëndësi komponentit social dhe parimeve të tjera të tregut dhe jo të tregut mbi të cilat
bazojmë politikën tonë zhvillimore. Gjithashtu, kjo paraqet mënyrë përmes së cilës ne
kontribuojmë në mënyrë aktive në rritjen ekonomike, që rrjedhimisht do të kontibuoj drejt rritjes
së cilësisë së jetesës për qytetarët. Kjo marrë si fakt, përkrahja shtetërore gjatë pandemisë u
reflektua edhe në rritje të konsumit publik final për 3.3% kumulativisht për tre tremujorët e parë
të këtij viti, me një bazë veçmë të lartë fillestare nga viti 2020.
Në këtë drejtim, edhe përskaj vështirësive të krijuara nga pandemia, menaxhimi efikas dhe
mekanizmi i ri CAPEF për zbatimin më efikas të investimeve kapitale dhanë rezultat.
Gjegjësisht, sipas të dhënave të fundit të disponueshme kemi mbi 40% më shume investime
kapitale të realizuara krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përkatësisht, realizimi i
investimeve kapitale është në nivel prej rreth 370 milionë euro që paraqet realizim rreth 77% nga
mjetet e planifikuara në buxhetin e vitit 2021. Gjithashtu, investimet e realizuara pritet që të
arrijnë nivelet më të larta edhe në vlera absolute. Kjo na jep optimizëm shtesë për realizimin e
projekteve të mëdha kapitale të planifikuara me Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike
Përveç masave për përkrahjen e rimëkëmbjes, Ministria filloi procesin e konsolidimit gradual
fiskal. Deficiti buxhetor pritet të jetë nën 6% nga PBB-ja e proektuar për vitin 2021 (përkundër
projektimit prej 6.5%), në rënie nga niveli i 8.2% në vitin 2020, me tendencë të zvogëlimit të
mëtejshëm gjegjësisht në 4.3% të PBB-së, të parapara në Buxhetin e vitit 2022. Në këtë rast me
rëndësi është të theksohet fakti se në vitin 2021 të hyrat tatimore dhe kontributet kanë tejkaluar
planin dhe të njëjtat arrijnë nivelin prej 102% krahasuar planifikimet me rebalansin në qershor të
vitit 2021 kur të njëjtat u korigjuan në nivel më të lartë krahasuar me buxhetin fillestar për 5% të
hyrat tatimore dhe 1,3% të hyrat nga kontributet. Një realizim i këtillë i të hyrave tatimore dhe
ato nga kontributet kontribon në zvoglëlimin e deficitit buxhetor për 0.5% nga PBB, gjegjësisht
për 3.8 miljardë denarë. Kjo është në përputhje me planet e Ministrisë së Financave për
qëndrueshmëri fiskale, parashikueshmëri dhe konsolidimin fiskal duke monitoruar në mënyrë të
vazhdueshme zhvillimet në ekonomi si dhe duke ruajtur hapësirë për intervenim shtetëror në
kohë krize, si kjo e tanishmja. Vendosja e planifikimit buxhetor afatmesëm në horizont prej tre
viteve dhe me perspektivë pesë vjeçare është vlerë e shtuar në parashikueshmërinë e politikave
fiskale dhe qëndueshmërinë e financave publike, si dhe konzistencën drejt qëllimeve të
përcaktuara.
4. Projekte kapitale, reforma dhe zgjidhje të reja ligjore për rritje të përshpejtuar
ekonomike
Gjatë vitit 2021 mbetëm të përkushtuar ndaj pakove reformuese dhe zgjidhjeve ligjore më të
mira, që do kontribuojnë në realizimin e qëllimeve tona. Gjatë vitit 2021 promovuam Planin për
rritje të përshpejtuar ekonomike, ku parashihen 4 miliardë euro investime publike me potencial
për mobilizim shtesë prej 8 miliardë eurove të tjera nga burimet private, që do të rezultojë në
norma më të larta të rritjes së qëndrueshme të ekonomisë. Plani për rritje të përshpejtuar
ekonomike 2022 – 2026 parasheh që përmes mekanizmave inovative, instrumenteve dhe fondeve
si dhe burimeve të tjera të financimit të realizohen projekte të mëdha kapitale që do të krijojnë
efekt multiplikativ pozitiv në sektorin privat.
Në këtë drejtim, kemi ndërmarrë një sërë hapash siç janë sigurimi i mjeteve për Fondin garantues
dhe Fondin për zhvillim, që do të shërbejnë si përkrahje e kompanive në sigurimin e kredive të
favorshme për financimin e eksportit, mjeteve qarkulluese, mjeteve fikse, si dhe investimeve sa i
përket hulumtimit dhe zhvillimit. Gjithashtu, jemi në fazën e përgatitjes së instrumenteve të reja,
që të plotësuara me Strategjinë për zhvillim të tregjeve financiare me fokus të veçantë mbi tregun
e kapitalit që është në fazën përfundimtare të përgatitjes, do të jepet diversitet në mënyrat e
financimit dhe rritje të kapacitetit për mobilizim të fondeve.
Parashihen investime të mëdha publike në sferën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore,
dixhitalizimit, si dhe zhvillimit të gjelbër. Kemi përfunduar me procedurat për fillimin e
ndërtimit të autostradës së Koridorit 8, duke siguruar një pjesë të financimit përmes Bankës
Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që e nënshkruam javën e kaluar në vlerë prej
130 milionë eurove, nga të cilat 20 milionë euro janë grant nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu,
në buxhetin për vitin 2022 parashihen rreth 100 milionë euro për pjesët e reja të Korridorit 8. Po
ashtu, planifikohet ndërtimi dhe rehabilitimi i infrastrukturës hekurudhore të Korridorit 8 dhe
Korridorit 10, si dhe infrastrukturës së gazsjellësit në magjistralet Shkup – Tetovë, Gostivar –
Kërçovë, Shën Nikollë – Veles, si dhe gazsjellësit interkonektiv me Republikën e Greqisë, për të
cilin nënshkruam marrëveshje për financim me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI).
Në vitin 2021, për herë të parë në buxhet vendosëm programin për zhvillim të gjelbër dhe
zbatuam projekte të axhendës së gjelbër nga programe të tjera në Buxhet. Përpjekja për
transformim të gjelbër po intensifikohet dhe mjetet sa i përket axhendës së gjelbër u dyfishuan
dhe parashifen në vlerë prej 3.6 miliardë denarëve në Buxhetin për vitin 2022. Ky trend global,
në të cilin u përfshimë në kohë, do të rezultojë në norma më të larta të rritjes cilësore dhe të
qëndrueshme të ekonomisë. Në kuadër të këtij qëllimi janë edhe projektet për avancimin e
dixhitalizimit, si dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor, që përkojnë edhe me finalizimin e hartimit të
strategjisë për zhvillim të kapitalit njerëzor në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Reformë substanciale për këtë vit është Ligji të ri për buxhetet, i cili tashmë ka hyrë në fazën
përfundimtare të procedurës parlamentare. Në zgjidhjen e re ligjore parashifen edhe themelimi i
Këshillit fiskal dhe vendosja e rregullave fiskale, me qëllim të rritjes së qëndrueshmërisë,
parashikueshmërisë dhe prudencës në menaxhimin e financave publike, njëkohësisht duke
vendosur mekanizma për ballafaqim me sfidat me të cilat mund të përballemi. Së bashku me
përpjekjet për përmisim të transparencës ndaj të cilave angazhohemi në plotëni, do të
kontribuohet për rritje të besimit të opinionit publik dhe ekonomisë në politikat buxhetore. Më
tej, në vitin 2021 Ministria e Financave vendosi të ashtuquajturin numërues fiskal, përmes së
cilit, qytetarët në çdo kohë mund të kenë pasqyrë për nivelin e realizimit të të hyrave,
shpenzimeve, shpenzimeve kapitale si dhe borxhin publik. Me këtë dhe me veglat e tjera
dixhitale, vlerësoj se do të kontribuohet për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në monitorimin e
financave publike, realizimin e buxhetit, por edhe rrespektimin e parimit të vendosur të “vlerës
së parave të investuara”, me të cilin synohet që paratë e qytetarëve të shpenzohen aty ku do të
japin më së shumti përfitime.
Sa i përket reformave tatimore, vlen të theksohet se Ministria e Financave gjatë gjithë vitit,
përmes një procesi gjithëpërfshirës të konsultimeve me odat ekonomike (dhe në veçanti me
eksportuesit), propozoi Propozim ligjin për ndryshimin e tarifave doganore, ku u përfshinë 258
numra tariforë. Përkrahja indirekte, që i jepet ekonomisë me këtë masë është 810 milionë denarë
ose 13 milionë euro nga mjetet e përgjithshme të arkëtuara prej 17.5 milionë eurove në bazë të
këtyre tarifave në nivel vjetor. Duhet të theksohet se ky zvogëlim paraqet lehtësim të
konsiderueshëm për eksportuesit duke pasur parasysh faktin se ai paraqet 12% të totalit të
detyrimeve importuese të arkëtuara në vitin 2020 në vlerë prej 110 milionë eurove. Ky zvogëlim
dhe harmonizim i normave doganore me ato të BE-së, si dhe shumë masa të tjera që i vendosëm
lidhur me përkrahjen e eksportit si komponent shumë e rëndësishme e zhvillimit tonë, do të
kontribuojë në rritjen e konkurrencës dhe investimeve, zgjerimin e kapaciteteve të kompanive
vendore dhe të huaja, rritjen e eksportit dhe punësimit.
Gjatë vitit të ardhshëm do vazhdojmë me reformat në sistemin tatimor, me qëllim që ky sistem të
jetë më efikas, më i drejtë dhe më i thjeshtë. Gjithashtu, në fokus do të jetë edhe zvogëlimi i
ekonomisë joformale.
5. Rritje e projektuar në kushte të pandemisë, krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve
në bursat botërore
Buxheti për vitin 2022 ka për qëllim vazhdimin e kujdesit ndaj shëndetit të qytetarëve,
rimëkëmbjen ekonomike dhe përshpejtimin e rritjes, rritjen e investimeve, duke vazhduar
konsolidimin gradual fiskal, si dhe përkrahjen e proceseve reformuese në gjyqësor dhe
integrimet euroatlantike. Planifikojmë shpenzime kapitale në nivel rekord me pjesëmarrje prej
14% në shpenzimet e përgjithshme, gjegjësisht me vlerën më të lartë historike prej 38.2 miliardë
denarëve. Me rritjen e shpenzimeve kapitale për 28.3% në krahasim me vitin 2021, si dhe me
shkurtimin e shpenzimeve buxhetore joproduktive dhe me zvogëlimin e deficitit buxhetor,
ofrojmë cilësi të re në mënyrën e konceptimit të politikave buxhetore dhe në udhëheqjen e
financave publike. Gjithashtu, kemi paraparë rreth 90 milionë euro për vazhdimin e përkrahjes
së ekonomisë lidhur me krizën e Kovidit dhe atë energjetike, me qëllim të mundësimit të
reagimit me kohë ndaj sfidave.
Vitin e ardhshëm presim rritje reale të PBB-së prej 4.6%, e kryesuar nga rritja e investimeve
bruto prej 8.5%, rritja e aktivitetit të eksportit prej 8.1%, rritja e konsumit dhe punësimeve me
nga 3.1%, që do të rezultojë me rimëkëmbje të tërësishme të ekonomisë dhe fillim të periudhës
së rritjes së përshpejtuar prej mbi 5% në nivel vjetor. Shpresoj që rrjedhat ekonomike globale do
të përmirësohen me qëllim që të valorizohen mundësitë që na paraprijnë.
Megjithatë, duke marrë parasysh kontekstin kohor, sfidat dhe rrjedhat ekonomike globale, me
një ekonomi jo plotësisht te rekuperuar dhe me presionin e lartë mbi çmimet e energjensave në
bursat globale, vetëdijesimi sa i përket sfidave dhe fleksibiliteti gjatë reagimit janë kyç për
kapacitetin tonë të absorbimit të krizave. Nisur nga kjo, duhet të jemi të vetëdijshëm se në
kushtet e pasigurisë se rritur, kapaciteti për tu adaptuar është aseti më i madh.
Në fund, dëshiroj të shpreh urimet më të sinqerta për të gjithë qytetarët tanë, duke ju uruar festat
dhe shëndet të mirë. Vetëm të bashkuar si shoqëri drejt prioriteteve tona strategjike, me qasje
gjithëpërfshirëse gjatë vendimmarrjes si dhe efikasitet dhe efektivitet gjatë zbatimit, do të mund
t’i arrijmë qëllimet për përmirësimin e standardit të jetesës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së
gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme.
P.S. Kthimi drejt ardhmërisë më të mirë!
Urime vitin 2022, me PBB që do të tejkalojë nivelin para krizës së Kovidit! Me politika
intervenuese që do të zbusin efektin e Kovidit dhe krizës energjetike, si dhe impaktin e rritjes së
çmimeve të tregjeve botërore. Planifikojmë një vit ku përskaj gjitha sfidave, do të vazhdojë
trendi i zvogëlimit të papunësisë, rritjës së pagave dhe zvogëlimit të varfërisë. Projektojmë rritje
të përshpejtuar ekonomike që do të na kthejë në trajektoren e rritjes së para-krizës, si dhe në
tejkalimin e saj në vitet në vijim përmes reformave strukturore, përforcimit të kapitalit njerëzor,
inovacioneve, investimeve, si dhe transformimit të gjelbër dhe dixhital të ekonomisë dhe
shoqërisë, që në periudhë afatmesme do të na bëjnë më konkurrent në tregun botëror. Me këtë
edhe “kthim drejt ardhmërisë më të mirë ”.