Këshilltarët e BDI-së: Buxheti i Komunës së Kumanovës diskriminues për shqiptarët


Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Këshillin Komunal në Komunën e Kumanovës kanë reaguar për Buxhetin e kësaj komune për vitin 2022, i cili u miratua sot. Grupi i këshilltarëve të BDI-së për NMK-Post kanë thënë se Buxheti i miratuar i komunës është jashtmase diskriminues në kulturë dhe sport, ku kultura dhe sporti shqiptar janë financuar me shuma qesharake, apo edhe me zero denarë.

“Me Buxhetin e vitit 2022, për sport janë ndarë afër 10 milion denarë (9 930 000), për klubet maqedonase janë ndarë 9 milion e gjysë ndërsa për klubet shqiptare vetëm 380 mijë denarë. Fondacioni për kulturë dhe sport në kuadër të Komunës 8 580 000 denarë për kulturën maqedonase, zero denarë për kulturën shqiptare. Për manifestimet kulturore maqedonase ndahen 2 215 000, ndërsa për ato shqiptare vetëm 239 mijë denarë. Ne kemi reaguar ashpër për këtë veprim të Komunës, por për fat të keq jo vetëm nga shumica maqedonase, por nuk u përkrahëm as nga këshilltarët shqiptarë të shumicës, nga radhët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të BDI-së Kumanovë.

Në seancën e Këshillit të Komunës së Kumanovës, këshilltarët e BDI-së kishin propozuar që honoraret e këshilltarëve të ndërpriten dhe të njëjtat tu ndahen shkollave në këtë komunë.
Ndarja e mjeteve për kulturë dhe sport, sipas Buxhetit të Kumanovës mund të shihet në fotot e mëposhtme, të cilat në redaksinë tonë janë dhënë nga këshilltarët e BDI-së.