Escobar në vend të Palmer e Grenell

Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe zyrtarisht e kanë emëruar diplomatin Gabriel Escobar për të dërguarin e tyre të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Escobar, i cili të hënën e të martën po qëndron në vizitë urgjente në Bosnjë Hercegovinë për t’i dhënë fund krizës politike që e ka kapluar këtë shtet deri të këtë të martë mbante pozicionin e zëvendës ndihmës sekretarit në Departamentin e shtetit në Uashington.

“Urime përfaqësuesit të ri Special në Ballkanin Perëndimor, zëvendës ndihmës sekretarit Gabriel Escobar! Ai tashmë është duke punuar në dialogun Serbi-Kosovë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, sigurimin e pranimit të rajonit në BE si dhe presionin ndaj udhëheqësve të Bosnjë e Hercegovinës që të avancojnë reformat e të respektojnë sovranitetin e integritetin territorial të saj” thuhet në njoftimin e DASH ,seksioni për Evropë dhe Euro-Azi.

Escobar, me përvojë të gjatë diplomatike në rajon në raportet Prishtinë-Beograd që në rastin më të mirë sipas tij duhet të përfundojnë me njohje, ka treguar zotësi të fortë, njofton Klan Kosova.

I dërguari i posaçëm luajti rol kyç më 30 shtator në Bruksel kur bashkë me homologun evropian Miroslav Lajçak ndërmjetësuan ujdinë kosovaro-serbe për targat e makinave.

Kjo i dha fund krizën kufitare 13 ditore mes dy vendeve.

Ndryshe gjatë një dëgjimi në Kongresin amerikan, Escobar javën që shkoi ka paralajmëruar se do të vizitoj Kosovën e Serbinë së shpejti.