-ads3-

Kreu i elektricistëve në setin e xhirimeve ku Alec Baldwin vrau aksidentalisht drejtoren e fotografisë, Halyna Hutchins muajin e kaluar, ka ngritur padi ndaj aktorit dhe pjesëtarëve të tjerë të setit lidhur me aksidentin.

Elektricisti Serge Svetnoy, një mik i Hutchinsit, ia ka lënë fajin neglizhencës e cila sipas tij, rezultoi me “shqetësim të rëndë emocional”, derisa autoritetet janë ende duke e hetuar rastin tragjik të 21 tetorit që ndodhi në New Mexico.

Asistent drejtori, Dave Halls, u ka thënë hetuesve se ai kishte dështuar që të kontrollonte armën, para se t’ia jepte atë Baldwinit, thuhet në një dokument të gjykatës.

Përpos Hutchinsin, edhe regjisori i filmit ka mbetur i plagosur gjatë xhirimeve për filmin western të quajtur “Rust”.

Padia civile e Svetnoyt është ngritur në Los Anxhelos. Ai përmend në padi dhjetëra të akuzuar të tjerë.

Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, Svetnoy, 63 vjeç, ka thënë se kishte parë armë të ulura në tokë, pa mbikëqyrje, disa ditë përpara të shtënave fatale, duke shtuar se ai kishte paralajmëruar njerëzit përgjegjës për to.

Padia e tij pretendon se në ditën e të shtënave ai “ndjeu një zhurmë të çuditshme dhe të tmerrshme të asaj që ndihej si ajër nën presion”, kur arma shpërtheu.

Në konferencën për shtyp, Svetnoy tha se ishte gjunjëzuar në përpjekje për të ndihmuar zonjën Hutchins.

As Baldwin, 63 vjeç, as të akuzuarit e tjerë të përmendur në padi nuk kanë komentuar deri më tani publikisht zhvillimet e fundit.