Kurti për gazsjellësin: Nëse kemi kërkuar informacion, s’do të thotë se e kemi refuzuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë akuzat se “po dëmtohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, sa i përket anulimit të projektit për gazsjellësin. Kurti sqaroi se informacionet dhe aludimet e shumta, nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me MCC.

“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike”, ka deklaruar Kurti.
“Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara, por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, tha më tej ai.