Doli nga shtypi libri i botuar nga Fadil Gashi, per Prof. Dr. Sadi Bexhetin

Doli nga shtypi libri i botuar nga Fadil Gashi, per Prof. Dr. Sadi Bexhetin.

PERSONALITET ME ENERGJI TË PASHTERSHME PUNE E KRIJIMI

I lindur në Rasadishtë të Sharrit Plak (1957), prej nga Tetova mund shihet si në pëllëmbë të dorës, doktor Sadi Bexheti, profesor universitar i lëndës së Anatomisë së njeriut në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Tetovës, ish- Rektor i Universitetit të Tetovës, ish- Prefekt i Komunës së Tetovës, humanist dhe biznesmen i suksesshëm, mund të cilësohet si një personalitet i veçantë me staturë të lartë intelektuale dhe me angazhime të gjera shoqërore që ka kryer shumë misione të rëndësishme në kohë e rrethana të vështira ekzistenciale për shoqërinë dhe kombin tonë. Qysh në fëmijërinë e tij, ai do të mësojë të ecte rrëpirave të rrezikshme dhe hapësirave të mëdha për t’u bërë student ekselent dhe doktor i shkencave të mjekësisë. Profesor Sadi Bexheti edhe profesionin edhe vokacionet e tij do t’i kuptojë si një mision dhe do të sillet në një trekëndësh pune e preokupimi: të profesorit universitar në Prishtinë e në Tetovë, të Rektorit dhe të Prefektit të qytetit të lindjes së tij. Tetova, Prishtina dhe Zagrebi do të jenë qytetet e ngritjes së tij arsimore dhe akademike. Fakultetit të Mjekësisë do t’i kushtojë 40 vjet punë dhe përkushtim nga jeta e tij. Do të botojë 6 tekste universitare në fushë të mjekësisë dhe 26 punime shkencore me indeks ndërkombëtar.
Vitet e 90-ta prof. dr. Sadi Bexhetin do ta përfshijnë në një valë të fuqishme iluministe të shqiptarëve në Maqedoni. Ai do të jetë një nga protagonistët kryesor për hapjen e Universitetit Shtetëror të Tetovës në vitin 1994. Do të jetë strumbullari për themelimin e Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë dhe do të zgjidhet dekan i këtij Fakulteti në vitet më të vështira të punës së tij. Në vitin 2006 do të zgjidhet Rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe ky institucion nën drejtimin e tij do të shënojë hope të jashtëzakonshme zhvillimore, ritme të reja pune akademike dhe të veprimtarisë shkencore e botuese. Do të themelojë edhe Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë, një ngrehinë e fuqishme që tubonte studiues dhe dashamirë të fushave të ndryshme albanologjike të hapësirave kombëtare, ballkanike dhe evropiane. Pas shumë turbulencave që kishin ndodhur në UT, kur u largua dhunshëm një pjesë e kuadrit më të mirë vetëm sepse angazhoheshin për zyrtarizimin e këtij Universiteti, ndër ta edhe dekanët prof. Sadi Bexheti dhe autori i këtyre radhëve, pas zgjedhjes së tij si Rektor, do të insistonte me këmbëngulje që të rikthehesha përsëri në UT dhe me propozimin e tij do të emërohesha Drejtor i Seminarit të Albanologjisë, të cilin e projektuam bashkë. Jam rikthyer në UT për hir të ndërmarrësisë dhe entuziazmit të madh të tij për t’i dhënë këtij institucioni një fytyrë tjetër dhe kam pasur mbështetjen e plotë dhe bashkëpunim të shkëlqyer me të në realizimin e projekteve të ndryshme. Në çdo rast, kam njohur te ky personalitet një Njeri me energji të pashtershme pozitive, që kontribuonte dhe jepte shumë për të tjerët. Prof. Sadi Bexheti i vlerësonte njerëzit e ditur dhe të aftë dhe i angazhonte në Universitet jo nga ndonjë parapëlqim vetjak a lokal a familjar, por nga kredoja shkencore, pedagogjike e njerëzore që ata posedonin.
Nga funksioni i Rektorit të Universitetit, në zgjedhjet lokale të vitit 2009, Sadi Bexheti si kandidat i Partisë Demokratike Shqiptare, zgjidhet prefekt i Tetovës. Edhe si prefekt do të vazhdojë të preokupohet dhe të ndihmojë ngritjen e mëtejme e Universitetit Shtetëror të Tetovës si në aspektin material edhe në atë profesional. Kryetetovari Sadi Bexheti, si në botën akademike, ashtu dhe atë politike e biznesore, do të respektohet shumë nga bashëpunëtorët e tij. Ai do të shpallet edhe Amabasador i Paqes për kontributin e tij për tolerancë e respekt në mes njerëzve dhe kombeve.
Prof. dr. Sadi Bexheti është një shembull i veçantë i intelektualit, i njeriut të paepur, i profesorit universitar, i menaxhuesit, mbi të gjitha një personalitet modest e me energji të jashtëzakonshme. Ai me shembullin personal më së miri u flet jo vetëm bashkëkohanikëve, por edhe brezave që vijnë.
Si bartës i disa funksioneve të rëndësishme publike, prof. Sadi Bexheti ka dhënë disa intervista, në televizione lokale, kombëtare e ndërkombëtare, për medie të ndryshme: “Radiotelevizioni i Kosovës”, “Zëri i Amerikës”, Televizionit “Koha” (Tetovë), “Portalb” etj., ku ka shpalosur momente interesante nga jeta dhe biografia e tij private, preokupimet studimore në fushën e mjekësisë, për Universitetin e Tetovës, për komunën e Tetovës, etj. Kësisoj, në këto intervista do të kuptojmë që në fushën e anatomisë, prof. Sadi Bexheti gjithë jetën ia ka kushtuar studimit të trurit: ”Unë gjithë jetën ia kam kushtuar studimti të trurit të madh. Ç’është e vërteta, kjo fushë është më pak e studiuar, por që edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e tillë. Është një fushë ku nevojiten akoma studime rrënjësore dhe hulmtime shkencore, pasi ka shumë gjëra të parrëfyera dhe të panjohura nga kjo lëmi.”
Një pjesë të atyre intervistave, 7 biseda të realizuara në perioda të ndryshme, publicisti Fadil Gashi, gazetar dhe redaktor në Radio-Televizionin e Kosovës, ndërmori nismën t’i zbardhte nga shiriti i celuloidit të magnetofonit, t’i sistemonte dhe t’i përmblidhte në këtë libër, i cili besojmë se është me interes të lexohet për të njohur anë të panjohura të këtij Njeriu me vlera.

Prof.dr.Qemal MURATI