“Nëse nuk e gjejmë kontejnerin, humbasim 5 mln euro”/ Mesazhet e Sky ECC fundosin kikboksierin e njohur, Jamal Ben Saddik dënohet për lidhje me bandën shqiptare të kokainës

Kikboksieri i njohur belg, Jamal Ben Saddik, është dënuar me katër vite burg nga një gjykatë në Antverpen, në kuadër të një dosjeje të madhe trafiku droge, që lidhet me transportimin e rreth 2,8 tonëve kokainë drejt Belgjikës. Prokuroria e akuzon sportistin për lidhje me një organizatë shqiptare të trafikut të drogës, duke u mbështetur kryesisht në komunikimet e zbërthyera të aplikacionit të koduar Sky ECC. Ben Saddik i mohoi akuzat, duke pretenduar se telefonin e tij të enkriptuar ua kishte dhënë për përdorim personave të tjerë. Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë version.

Si funksiononte rrjeti shqiptar i drogës?

Në qendër të hetimeve ishte shqiptari Devid P., i dyshuar për organizimin e gjashtë transporteve të kokainës drejt portit të Antverpenit, nga tetori i vitit 2019 deri në fund të vitit 2020. Sipas hetuesve, Devid P. kishte kërkuar ndihmën e Jamal Ben Saddik dhe Mecit Y. për nxjerrjen e kokainës nga kontejnerët që mbërrinin në port.

Transporti i parë u regjistrua më 6 nëntor 2019 dhe përmbante 200 kilogramë kokainë. Meqenëse organizata nuk kishte një person të brendshëm në port, të njohur si “planner”, i cili mund të orientonte nxjerrjen e ngarkesës, anëtarët e grupit u detyruan të kalonin natën rrethimin e portit, në molin 730, për të gjetur kontejnerin.

Përpjekja e parë dështoi, por një ditë më vonë ata arritën të merrnin 200 pakot me kokainë. Në komunikimet e zbuluara nga Sky ECC, anëtarët e grupit shprehnin shqetësimin për humbjen e ngarkesës, duke shkruar se nëse nuk e gjenin kontejnerin, do të humbnin pesë milionë euro.

Kokaina e sekuestruar

Gjatë muajve në vijim, rrjeti organizoi edhe transporte të tjera droge. Në një rast u transportuan 40 kilogramë kokainë, të fshehura në ndarjen frigoriferike të një kontejneri. Në një tjetër rast, 250 kilogramë kokainë u shkarkuan në një magazinë në Brecht. Për këtë transport, Devid P. dyshohet se përdori njerëzit e angazhuar për nxjerrjen e drogës nga kontejnerët, të njohur në botën kriminale si “uithalers”. Ata ishin të lidhur me trafikantin nga Antverpeni, Mounier El Bartali, i njohur me nofkën “Gino”.

Megjithatë, jo të gjitha operacionet e grupit përfunduan me sukses. Në mars të vitit 2020, Dogana dhe Policia Gjyqësore Federale sekuestruan 770 kilogramë kokainë në një magazinë në rrugën Tweemontstraat, në Deurne. Gjatë operacionit u arrestuan tre persona që merreshin me nxjerrjen e drogës dhe një shofer.

Pas arrestimeve, Devid P. i kishte shkruar Jamal Ben Saddik se tre bashkëpunëtorë shqiptarë dhe shoferi kishin përfunduar në pranga. Në qershor të të njëjtit vit, autoritetet sekuestruan edhe një tjetër kontejner që përmbante 614 kilogramë kokainë.

Devid P, një emër i rëndësishëm në trafikun evropian të drogës

Sipas Prokurorisë Publike belge, Devid P. konsiderohet një figurë e rëndësishme në rrjetet evropiane të trafikut të drogës, me kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën e Jugut. Ai ishte dënuar më parë, në vitin 2024, nga një gjykatë në Bruksel me shtatë vite burg për veprimtari të lidhura me trafikun e drogës.

Për çështjen e shqyrtuar në Antverpen, prokuroria fillimisht kishte kërkuar edhe katër vite të tjera burg për të. E njëjta kërkesë ishte bërë edhe për Mecit Y. dhe Jamal Ben Saddik. Megjithatë, vendimi përfundimtar i gjykatës ishte më i rëndë për Devid P., i cili u dënua me gjashtë vite burg shtesë.

Gjatë procesit gjyqësor, kikboksieri Jamal Ben Saddik kërkoi të shpallej i pafajshëm. Avokati i tij, Wim De Colvenaer, argumentoi se mesazhet e zbuluara në Sky ECC nuk ishin shkruar nga klienti i tij. Sipas mbrojtjes, Ben Saddik kishte pasur një telefon të tillë për shkak të kontratës së sponsorizimit me kompaninë Sky ECC, për të cilën kishte shitur edhe abonime.

Avokati shpjegoi se gjatë periudhave kur sportisti përgatitej për ndeshje, ai ua jepte telefonin miqve për rreth dy muaj. Këta të fundit kujdeseshin për komunikimin me klientët e kompanisë. Për këtë arsye, sipas mbrojtjes, Ben Saddik nuk kishte përgjegjësi për mesazhet e dërguara gjatë asaj kohe. Vetë kikboksieri mohoi të kishte njohje me Devid P. dhe çdo përfshirje në trafikun e drogës.

Ai argumentoi se fotografia ku shfaqej së bashku me shqiptarin nuk dëshmonte ndonjë lidhje kriminale, pasi si sportist i njohur kishte fotografuar ndër vite me mijëra njerëz. Ben Saddik deklaroi gjithashtu se kishte lidhur kontratë sponsorizimi me Sky ECC në vitin 2016, por këmbënguli se nuk kishte pasur asnjëherë lidhje me drogën.

Mbrojtja kërkoi pafajësi dhe, në alternativë, një dënim me punë në dobi të komunitetit, duke argumentuar se një dënim efektiv me burg do t’i jepte fund karrierës së tij sportive. Gjykata, megjithatë, nuk u bind nga pretendimi se telefoni ishte përdorur nga persona të tjerë. Ndër elementet që ngritën dyshime ishte edhe një fotografi e Devid P. me Jamal Ben Saddik, e gjetur në telefonin Sky ECC. Gjithashtu, Devid P. kishte lënë takime në lokalin Poké Bowl Place, biznes që ishte në pronësi të kikboksierit.

Çfarë deklaruan të pandehurit e tjerë?

Devid P., i cili aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri, kërkoi përmes avokatit të tij Johan Heymans që të zbatohej parimi juridik “non bis in idem”. Ky parim ndalon dënimin e një personi dy herë për të njëjtat fakte penale. Mbrojtja argumentoi se çështja e Antverpenit lidhej me të njëjtën periudhë, të njëjtat magazina dhe të njëjtat komunikime Sky ECC për të cilat klienti i tij ishte dënuar tashmë në Bruksel.

Edhe mbrojtja e Mecit Y. kërkoi që gjykata të merrte parasysh dënimin e mëparshëm të tij në Dendermonde. Avokati argumentoi se klienti kishte kryer vetëm detyra praktike dhe nuk kishte marrë pjesë në vendimmarrjen e organizatës kriminale. Megjithatë në vendimin përfundimtar u vendosën gjashtë vite shtesë për Devid P. dhe katër për Ben Saddik.

Gjykata e Antverpenit vendosi se çështja ishte vazhdim i dosjes së trafikut të drogës për të cilën Devid P. ishte dënuar më parë në Bruksel. Megjithatë, kjo nuk e pengoi dhënien e dënimeve të tjera.

Vendimet përfundimtare ishin: Devid P.: 6 vite burg shtesë dhe konfiskimi i 800 mijë eurove pasuri të paligjshme. Mecit Y.: 4 vite burg shtesë dhe konfiskimi i 600 mijë eurove pasuri të paligjshme. Jamal Ben Saddik: 4 vite burg efektiv dhe konfiskimi i 125 mijë eurove pasuri të paligjshme.

Ndërsa për Jamal Ben Saddik, ky është një tjetër dënim i rëndë që i shtohet problemeve të tij me drejtësinë. Vitin e kaluar, ai ishte dënuar me 40 muaj burg për pastrim parash, gjysma e të cilëve me kusht. Ndërkohë, në një tjetër çështje që lidhet me klanin kriminal Yaramis, kikboksieri kishte marrë edhe 18 muaj burg, por kjo çështje vijon të jetë në apel.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo