E BUJSHME! Xhensila Myrtezaj shpërthen pas akuzave për evazion fiskal: Nuk do të lejoj që figura ime të njolloset
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar pas lajmeve se do të përballet në gjykatë për akuzën e fshehjes së të ardhurave dhe shmangies së mbi 6 milionë lekëve detyrime tatimore. Në një deklaratë publike, ajo i cilëson titujt mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë, duke theksuar se akuzat nuk përbëjnë vendim gjykate.
Myrtezaj shprehet se figurën e saj publike e ka ndërtuar prej më shumë se një dekade me punë, sakrifica dhe korrektesë ndaj publikut, shtetit dhe ligjit, ndërsa kundërshton publikimet që, sipas saj, e paraqesin evazionin fiskal si fakt të provuar.
Postimi:
Figurën time publike e kam ndërtuar për më shumë se një dekadë me punë, sakrifica dhe korrektesë ndaj publikut, shtetit dhe ligjit. Karrierën time e kam ndërtuar me punën artistike dhe me respekt për publikun. Nuk do të lejoj kurrë që figura ime të njolloset nga tituj mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë.
Akuzat që ngrihen nuk janë vendime gjykate. Kërkesa e Prokurorisë për deklarime të pasakta përmban pretendimin e njërës palë. Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Titujt që e paraqesin evazionin si fakt të provuar e shkelin këtë parim.
Të ardhurat e mia janë faturuar në sistemin e shtetit shqiptar. Nuk ka mosdeklarim të të ardhurave. Nuk mund të fshihet ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore.
Akuzat që ngrihen nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej meje. Shkrimet për “fshehje pasurie” apo për “blerje pronash me burime të pajustifikuara” janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
Kam bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe me organet e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë, duke u vënë në dispozicion çdo dokument që kërkojnë për zbardhjen e së vërtetës.
Çdo titull i pavërtetë dhe çdo foto e imja e përdorur për të ilustruar një akuzë të paprovuar më shkakton dëm moral, profesional dhe familjar. Emri im nuk është material për klikime. Jeta ime, puna ime dhe familja ime preken drejtpërdrejt nga këto publikime të pasakta.
U kërkoj mediave dhe portaleve të mos përdorin emrin dhe figurën time në tituj që nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Nuk do të bëj më komente publike. Përgjigjen time do t’ua jap organeve të drejtësisë, ku do të paraqes provat se çdo e ardhur e imja është e ligjshme dhe e deklaruar sipas ligjit.