Presidenti Begaj në Strugë: Ruajtja e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, thelbësore për identitetin kombëtar (VIDEO)





Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Strugë, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër.

Kreu i Shtetit u prit nga kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, këshilltarë komunalë, përfaqësues të forcave politike dhe qytetarë, me të cilët diskutoi për zhvillimin ekonomik të qytetit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e rolit të shqiptarëve.

Presidenti Begaj vlerësoi përpjekjet e drejtuesve vendorë për promovimin e Strugës si destinacion turistik, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me bashkitë kufitare për realizimin e projekteve të përbashkëta që nxisin turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Gjatë qëndrimit në Strugë, Presidenti vizitoi Urën e Drurit “Naser Hani” mbi lumin Drini i Zi, si dhe fshatin Livadhi, ku nderoi kujtimin e betejës së Gjergj Kastriotit dhe vizitoi muzeun që pasqyron trashëgiminë historike, etnografike dhe kulturore të zonës.

Një ndalesë të veçantë Begaj zhvilloi në shkollën fillore “Aki Dika”, e cila prej dekadash kontribuon në arsimimin e brezave në gjuhën shqipe.

Presidenti përgëzoi mësuesit dhe komunitetin për angazhimin e tyre në mbështetje të arsimit shqip, duke e vlerësuar atë si një model të ruajtjes së identitetit kombëtar.

 

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo