Dy gra të punësuara në mirëmbajtjen e higjienës janë lënduar nga të shtënat që ndodhën sot në mëngjes, rreth orës 8, në Shkollën e Parë Teknike në qytetin serb të Kragujevcit.
Sipas informacioneve të para dhe ende jozyrtare nga mediat serbe, në ndërtesën e shkollës ka hyrë një nxënës 17-vjeçar i armatosur me një pushkë të kalibrit të vogël dhe ka hapur zjarr drejt personelit ndihmës. Në këtë rast janë plagosur dy gra të punësuara si higjieniste në institucionin arsimor. Televizioni publik serb RTS njofton se të plagosurat nuk janë në rrezik për jetën.
Një patrullë policore që ndodhej në afërsi ka ndërhyrë menjëherë, e ka kapur dhe e ka arrestuar të dyshuarin adoleshent. Asnjë nga nxënësit apo stafi pedagogjik nuk është lënduar.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policore, përfshirë edhe anëtarë të Xhandarmërisë, si dhe ekipe të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore. E gjithë hapësira rreth oborrit të shkollës dhe hyrja në objekt janë bllokuar plotësisht derisa të përfundojë hetimi, ndërsa nxënësit së bashku me profesorët janë mbajtur në siguri brenda klasave.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ende nuk është shprehur zyrtarisht për motivet e sulmit dhe rrethanat e sakta në të cilat ka ndodhur incidenti. Më shumë detaje priten gjatë ditës.