Komiteti Disiplinor i Federatës spanjolle me dënim maksimal për portierin që e fauloi të ndjerin Jesus de Miguel

Komiteti Disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) e ka dënuar me 12 ndeshje pezullim portierin Jesús Owono për ndërhyrjen ndaj Jesús de Miguelit gjatë ndeshjes Tenerife – Andorra, të zhvilluar më 2 nëntor.

Sulmuesi i lindur në Madrid ndërroi jetë të nesërmen në spital, si pasojë e përplasjes së pësuar gjatë ndeshjes.

Përtej dënimit sportiv, portieri nga Guinea Ekuatoriale po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për shkak të asaj që ndodhi. Vetë Owono e ka pranuar se këto janë “ditët më të vështira të jetës sime”.

Trajneri i tij, Carles Manso, ka shpjeguar se klubi po e mbështet portierin dhe do t’i japë gjithë hapësirën e nevojshme për të vendosur nëse dëshiron të rikthehet në futboll dhe kur do të ndihet i gatshëm për ta bërë këtë.

Kampionati rifillon këtë fundjavë për të dyja skuadrat. Andorra do të luajë si mysafire ndaj Almerias të shtunën në orën 18:30, ndërsa Tenerife do të rikthehet para tifozëve të saj të dielën në orën 14:00, kur pret Ceutan në stadiumin “Heliodoro Rodríguez López”.

Kjo do të jetë ndeshja e parë në shtëpi për Tenerifen që nga vdekja e bashkëlojtarit të tyre.

Vendimi disiplinor vjen në një periudhë veçanërisht të ndjeshme, pasi ngjarja ka tronditur thellë botën e futbollit. Vdekja e De Miguelit ka shkaktuar tronditje në futbollin spanjoll.

Fundjavën e kaluar, në të gjitha stadiumet e Spanjës ku u zhvilluan ndeshje, u mbajtën homazhe në nderim të sulmuesit. Gjithashtu, që nga kjo ngjarje tragjike janë organizuar iniciativa të shumta solidariteti për të mbështetur familjen e tij.

Në raportin e tij, gjyqtari kishte shkruar se Owono u ndëshkua me karton të kuq “për goditjen e dhunshme të një kundërshtari me këmbën e ngritur lart, duke përdorur forcë të tepruar në një duel për topin. Lojtarit iu dha ndihma e parë në fushë dhe më pas u largua me barelë”.

Të premten, Komiteti Disiplinor vendosi ta dënojë portierin me 12 ndeshje pezullim, në bazë të nenit 102 të Kodit Disiplinor.

Ky nen trajton sjelljen e dhunshme ndaj kundërshtarit dhe parasheh pezullim prej katër deri në 12 ndeshje në rastet kur një veprim i tillë shkakton pasoja të rënda ose dëmtime serioze, për aq kohë sa nuk përbën një shkelje edhe më të rëndë.

Kështu, portieri i Andorrës mori dënimin maksimal të paraparë nga ky nen.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo