Policia e Maqedonisë së Veriut ka shqiptuar 708 gjoba për tejkalim të shpejtësisë gjatë një aksioni gjashtëorësh të zhvilluar dje në të gjithë territorin e vendit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrollet janë realizuar nga ora 11:00 deri në 17:00, ndërsa 360 shoferë janë gjobitur për tejkalim të shpejtësisë jashtë vendbanimeve dhe 348 brenda tyre.
Gjatë aksionit janë evidentuar edhe tri raste të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit, të cilat përbëjnë vepër penale, si dhe 98 shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.
MPB paralajmëron vazhdimin e kontrolleve të intensifikuara dhe u bën thirrje shoferëve të respektojnë kufizimet e shpejtësisë.
“Çdo jetë është e rëndësishme!”, theksojnë nga policia.