Sulmet izraelite vrasin edhe dy palestinezë të tjerë në Gaza, duke përfshirë studenten e mjekësisë

Dy palestinezë të tjerë, përfshirë një studente të mjekësisë, humbën jetën të premten si pasojë e plagëve të marra në sulmet e mëparshme izraelite në Qytetin e Gazës (Gaza City), bëjnë të ditur burime mjekësore dhe dëshmitarë, raporton Anadolu.

Një burim mjekësor në Spitalin Al-Shifa, në pjesën perëndimore të Qytetit të Gazës, tha për Anadolu se një palestinez ndërroi jetë nga plagët e marra gjatë një sulmi izraelit disa ditë më parë, në zonën Al-Blakhiyah të kampit të refugjatëve Al-Shati.

Sara Abu Jiyab, banore e kampit Al-Shati, gjithashtu humbi jetën si pasojë e plagëve të marra në një sulm të mëparshëm izraelit në Qytetin e Gazës, theksoi burimi.

Dëshmitarët treguan se Abu Jiyab ishte studente e mjekësisë në Universitetin Islamik të Gazës dhe ishte plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit që shënjestroi kampusin universitar, në fund të muajit tetor.

Ndërkohë, ushtria izraelite hapi zjarr intensiv të premten drejt zonës Al-Mawasi, në veriperëndim të Rafah (në jug të Rripit të Gazës); sipas dëshmitarëve disa plumba goditën tendat ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur.

Këto ngjarje ndodhin në një kohë kur Izraeli vazhdon të shkelë marrëveshjen e armëpushimit, e cila është në fuqi në Gaza që nga 10 tetori 2025.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, këto shkelje kanë shkaktuar në vdekjen e 1.602 palestinezëve dhe plagosjen e 5.799 të tjerëve.

Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale e Izraelit kundër Gazës ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74.000 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 175.000 të tjerëve, duke shkaktuar gjithashtu shkatërrim të gjerë të infrastrukturës civile.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo