FUNDI I AUTOKRATËVE DHE POPULISTËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Shkruan: Merxhan Jakupi

Liderët me jetëgjatësinë më të madhe politike në Ballkanin Perëndimor janë Aleksandar Vuçiqi, Edi Rama, Milorad Dodiku dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti.
Rënia spektakolare e Aleksandar Vuçiqit, sipas analistëve, do të mund të sillte ndryshime tektonike në rajon dhe të shënonte fundin e dominimit të liderëve populistë dhe autokratë, të cilët kanë qëndruar në pushtet për më shumë se një dekadë.
Sipas analistit dhe shkrimtarit serb Svetislav Basara, shndërrimi i liderëve në autokratë dhe populistë ndërlidhet me fenomenin e mentalitetit dhe të kulturës politike lindore. Adhurimi i mbretërive dhe i liderëve te popujt e Ballkanit është një tipologji e një matricë politike edhe pas ndryshimeve ideologjisë komuniste të përfaqësuar nga liderë si Josip Broz Tito dhe Enver Hoxha.
Adhurimi i liderëve, që mbetet prodhim i matricës thellësisht ideologjike, ka vazhduar edhe gjatë tri dekadave të pluralizmit dhe demokracisë në rajon.
Ardhja e një gjenerate të re në rajon tregon se kjo gjeneratë kërkon ndryshime, duke u shkëputur nga vargonjtë e mentalitetit lindor të adhurimit dhe shndërrimit të liderëve në idole, mite dhe kulte të individit.
Kjo gjeneratë, e përfaqësuar nga lëvizjet studentore, ka protestuar për më shumë se dy vjet, duke sjellë si rezultat ndryshime politike, gjegjësisht largimin e Aleksandar Vuçiqit nga pushteti. Protestat dhe kërkesat për ndryshim vazhdojnë të artikulohen përmes të njëjtës moto dhe sloganeve që kërkojnë largimin e liderëve populistë dhe autokratë, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Shumë analistë serbë, kritikë të regjimeve autokratike dhe populiste, janë skeptikë se pas humbjes së pushtetit nga Aleksandar Vuçiqi dhe elita e tij politike, do të jetë e vështirë të çrrënjoset dhe të eliminohet e gjithë struktura e pushtetit dhe hierarkia politike, e cila shtrihet nga koha e Millosheviqit e deri te lideri i fundit, Vuçiqi.
Analistët dhe kritikët e Vuçiqit pohojnë se, duke filluar nga Sllobodan Millosheviqi, Koshtunica, Tadiqi e deri te lideri i fundit, Aleksandar Vuçiqi, liderët politikë kanë qenë marionetë, ndërkohë që pas tyre kanë qëndruar Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, ushtria dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Sipas këtyre vlerësimeve, ende mbetet e paqartë nëse liderët e ardhshëm, të dalë nga lëvizja studentore, do të arrijnë të ndryshojnë diskursin dhe doktrinën politike, apo do të jenë modele pushteti dhe prototipa të liderëve të tri dekadave të fundit.

DIVERGJENCAT MES ALEKSANDAR VUÇIQIT DHE EDI RAMËS
Dy liderët, Vuçiqi dhe Rama, shpesh janë parë si liderë me prirje autoritare dhe populiste, por mes tyre ekzistojnë edhe divergjenca ideologjike.
Për nga mënyrën se si e ushtrojnë pushtetin, këta dy liderë të kujtojnë carët rusë, sulltanët dhe perandorët e Perandorisë së Shenjtë Romake. Ata shfaqen si sovranë, me bindjen se kanë pushtet të plotë mbi popullin.
Aleksandar Vuçiqi, për paradoks, ka ndërtuar mitin e popullit të viktimizuar, si hebrenjtë. Vuçiqi si një orator, përmes retorikës politike krijoi një pasqyrë me “gënjeshtra fisnike“.Narrativa e tij politike ka qenë pretendimi se ai e do popullin serb më shumë se jetën e tij.
Lideri serb, Vuçiqi, ka shpikur një lloj populizmi etnocentrist, unitarist dhe hegjemonist. Një nga formulimet që e përligj këtë diskurs nacionalist është perceptimi se serbët, në luftë, kanë dalë fitues, ndërsa në paqe kanë përfunduar humbës.
Në politikën e jashtme, Vuçiqi ka qenë një aktor “brilant”. Afërsia emocionale dhe politike me Rusinë mbështetet në traditën pansllaviste dhe lidhjet e ortodoksisë. Gjatë vizitës së Vladimir Putinit në Serbi, në vitin 2019, ai u prit me një ceremoni madhështore. Vuçiqi, në një gjest të theksuar simbolik, u përkul para Putinit dhe e puthi disa herë, duke shfaqur publikisht afërsinë dhe admirimin e tij ndaj presidentit rus, ndërkohë që në raportet me Brukselin, gjuha diplomatike e Vuçiqit merr një dimension tjetër, duke shikuar “xhepat” dhe donacionet e BE-së.
Balancimi i tij ka qenë i mbështetur në tri shtylla: Perëndimi, Rusia dhe Kina, si dhe në ruajtjen e neutralitetit.
Edi Rama, njësoj si Vuçiqi, autokrat dhe populist, në krahasim me këtë të fundit, ka pasur atribute dhe tipare të tjera.
Divergjencat mes dy liderëve, Vuçiqit dhe Ramës, qëndrojnë edhe në faktin se Vuçiqi, si lider i projektit të “Botës Serbe“, ndjek një politikë të dualizmit dhe unifikimit politiko-kulturor, duke vepruar si lider i të gjithë serbëve të shpërndarë në pesë shtete.
Shqiptarët, ndonëse kanë dy shtete shqiptare, Rama nuk është një lider që synon të unifikojë të gjithë kombin shqiptar.
Rama ka oratorinë e një lideri properëndimor. Ai është një eurocentrist fanatik. Shpesh, përmes batutave të tij, ka bërë kritika edhe ndaj kancelarive të Brukselit.
Rama ka një sens të veçantë komunikimi dhe shpesh flet në mënyrë teatrale. Shpesh përdor metafora të ndryshme për t’u shfaqur si një lider karizmatik në Ballkan dhe në Evropë.
Rama ka prirje autokratike, dhe kjo manifestohet në prirjen për të kontrolluar të gjitha institucionet dhe hierarkinë e shtetit. Ai është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për të mbetur në pushtet. Rama zotëron karizmën e “inxhinjeringut politik“.
Rama nuk i duron kritikat. Shpesh, në mënyrë arrogante, shfaq tiparet e një lidershipi me mentalitet lindor. Hasmëria ndaj rivalit të tij, Sali Berisha, përmban një kod kanunor.
Ai e nisi rrugëtimin dhe e vazhdon me sloganin “Rilindje“. Rama këtë slogan e ndërtoi si establishment dhe si projekt politik e ideologjik. Çdo reformë dhe progres, sipas këtij diskursi, ka filluar me ardhjen e tij në pushtet. Ky diskurs politik është i ngjashëm me atë të liderit komunist Enver Hoxha, i cili mohonte çdo arritje të periudhës së Mbretit Zog.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo