MINISTRIA E ENERGJETIKËS: PO PËRPARON GAZSJELLËSI ME GREQINË, PO PËRGATITET INTERKONEKSIONI ME SERBINË DHE PO PUNOHET PËR FUNKSIONALIZIMIN E RRJETIT VENDAS

Ndërtimi i gazsjellësit ndërlidhës me Greqinë, përgatitjet për lidhjen e gazit me Serbinë dhe aktivitetet për vënien në funksion të segmenteve të ndërtuara të rrjetit vendas janë procese konkrete përmes të cilave vijon zhvillimi i infrastrukturës së gazit në Maqedoni. Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale dhe NOMAGAS-i po punojnë për krijimin e kushteve për furnizim më të sigurt, qasje në burime të ndryshme të gazit natyror dhe lidhje më të madhe rajonale.

Në interkonektorin me Greqinë, me gjatësi prej 68 kilometrash në territorin maqedonas, po zhvillohen punimet ndërtimore. Sipas të dhënave të projektit të dorëzuara më 19 tetor, janë furnizuar 64 kilometra tuba, janë salduar 43 kilometra dhe 18 kilometra janë vendosur në kanal. Shpronësimi është realizuar në masën 97 për qind.

Kontrata për realizimin e punimeve është lidhur më 7 maj 2025, ndërsa përfundimi është planifikuar për mesin e vitit 2027. Financimi i projektit përfshin një grant investimi dhe marrëveshje kredie me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo lidhje pritet të krijojë mundësi shtesë për furnizimin me gaz natyror dhe të rrisë sigurinë e sistemit.
Paralelisht po përgatitet interkonektori me Serbinë, me gjatësi të parashikuar prej 23 kilometrash në territorin maqedonas. Pas marrëveshjes së 27 gushtit 2026, kanë nisur aktivitetet për përcaktimin e trasesë dhe hartimin e projektit. Sipas dokumentacionit të projektit, parashihet financimi nga mjetet vetanake të NOMAGAS-it.
Po punohet gjithashtu për krijimin e kushteve që segmentet vendase të gazsjellësit të vihen në funksion. Në linjat Kleçovcë–Negotinë dhe Negotinë–Manastir, sipas materialeve të dorëzuara, po kryhen punime mirëmbajtjeje, kontrolle të integritetit dhe tharje. Më pas, këto punime pritet të vazhdojnë në linjën Shkup–Tetovë–Gostivar. Të tri segmentet kanë një gjatësi të përgjithshme prej 277 kilometrash. Kontrollet teknike dhe përgatitjet janë hapa të domosdoshëm për vënien e tyre të sigurt në funksion.
Këto aktivitete tregojnë se lidhja me gazsjellës po vazhdon, përmes projekteve që ndodhen në faza të ndryshme: zbatim, projektim dhe përgatitje për vënie në përdorim. Përparimi duhet të vlerësohet sipas punimeve të realizuara dhe kushteve teknike të përmbushura, e jo përmes cilësimeve të përgjithshme politike për braktisjen e gazifikimit.

Në lidhje me reagimet e LSDM-së dhe Levicës për rishikimin e buxhetit, Ministria sqaron se harmonizimet buxhetore shqyrtohen në bazë të destinimit të mjeteve, kushteve për përdorimin e tyre dhe mundësisë për realizim gjatë vitit në vijim. Ndryshimi në nënprogramin “Gazifikimi” nuk duhet të barazohet automatikisht me shkurtimin e mjeteve për ndërtimin e gazsjellësve. Pavarësisht sqarimeve të dhëna më parë, vazhdon të përsëritet pretendimi i pasaktë se harmonizimi buxhetor nënkupton heqjen dorë nga gazifikimi, duke e çorientuar publikun.

Fondet për të cilat Ministria dha më parë sqarime ishin planifikuar për blerjen dhe magazinimin e gazit natyror për rezervat strategjike. Për t’i përdorur ato, nuk mjafton vetëm sigurimi i gazit dhe i hapësirës për magazinim; nevojitet edhe kapacitet i sigurt transportues deri në Maqedoni. Disponueshmëria e kufizuar e kapaciteteve ndërkufitare drejt Bullgarisë ndikon në mundësinë që kjo blerje të realizohet sipas dinamikës së planifikuar. Prandaj, harmonizimi buxhetor duhet të shqyrtohet në kontekstin e kushteve reale të furnizimit, e jo si vendim për heqjen dorë nga gazifikimi.

Ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësve është proces më vete, me kontrata konkrete, burime financimi dhe faza teknike. Përparimi i interkonektorit me Greqinë, përgatitjet për lidhjen me Serbinë dhe punimet në segmentet vendase janë treguesit mbi bazën e të cilëve duhet vlerësuar zbatimi. Ministria mbetet e përkushtuar për vënien e sigurt në funksion të infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për furnizim më të sigurt dhe më të diversifikuar me gaz natyror.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo