Deputeti Adnan Azizi ka reaguar me një mesazh të fortë politik, duke vlerësuar se projektet e ndërtuara mbi frikën, izolimin dhe ambicien për të kontrolluar zhvillimet në rajon janë të destinuara të dështojnë.
Sipas Azizit, ka momente kur takimet politike nuk organizohen për të festuar fitore, por për t’i dhënë kurajë njëri-tjetrit përballë realitetit informon Tetovasot. Ai thekson se “Ballkani i Hapur” po shkon drejt fundit, bashkë me iluzionin e atyre që besuan se mund ta rishkruanin hartën politike të rajonit duke e lënë Kosovën jashtë.
“Nuk ka aleancë që mund ta sfidojë pafundësisht kohën dhe as skenar që mund ta mbajë peng historinë. Sot mblidhen për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit, ndërsa nesër mund të mblidhen për të kuptuar se ku gabuan”, shprehet Azizi.
Në fund të reagimit të tij, deputeti nënvizon se historia është e pamëshirshme ndaj atyre që e ngatërrojnë ambicien personale me interesin e popujve, duke shtuar se në fund mbijeton jo ai që bën më shumë zhurmë, por ai që qëndron në anën e duhur të kohës.
Postimi i plotë:
Ndonjëherë, njerëzit mblidhen jo për të festuar fitore, por për t’i dhënë kurajë njëri-tjetrit përballë kohës që po i shkel.
Projektet e ndërtuara mbi frikën, izolimin e të tjerëve dhe ambicien për të kontrolluar fatin e rajonit, herët a vonë përplasen me realitetin. Asnjë aleancë nuk mund ta sfidojë pafundësisht kohën, asnjë skenar nuk mund ta mbajë peng historinë.
Ballkani i Hapur po perëndon, ndërsa po zbehet edhe iluzioni i atyre që menduan se mund ta rishkruanin hartën politike të rajonit duke e lënë Kosovën anash.
Sot mblidhen për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit; nesër mund të mblidhen për të kuptuar se ku gabuan. Sepse kur një projekt humbet arsyen e ekzistencës, edhe ata që e promovuan më me zell mbeten përballë pasojave të tij.
Historia është e pamëshirshme me ata që e ngatërrojnë ambicien personale me interesin e popujve. Në fund, nuk mbijeton ai që bën më shumë zhurmë, por ai që qëndron në anën e duhur të kohës.