Shoferët që udhëtojnë nëpër Slloveni duhet të bëjnë kujdes, pasi në disa segmente të autostradave janë vendosur kamera të reja që matin shpejtësinë mesatare të automjeteve.
Ndryshe nga radarët e zakonshëm, këto kamera nuk regjistrojnë vetëm shpejtësinë në një pikë të caktuar, por llogarisin kohën që i duhet automjetit për të përshkuar një segment rrugor. Kjo do të thotë se ulja e shpejtësisë vetëm pranë radarit nuk mjafton më për t’i shpëtuar gjobës.
Sipas raportimeve, sistemi është vendosur në katër segmente të autostradave A1 dhe A2, në drejtim të Lubjanës, Kranjit, Novo Mestës dhe Mariborit.
Gjobat nisin nga 40 euro dhe mund të arrijnë deri në 1,200 euro, në varësi të tejkalimit të shpejtësisë. Për shkeljet më të rënda parashikohen edhe pikë ndëshkuese.
Autoritetet sllovene synojnë të rrisin sigurinë rrugore dhe të ndëshkojnë shoferët që tejkalojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë.
Një paralajmërim ky edhe për shqiptarët që udhëtojnë drejt vendeve të Europës përmes Sllovenisë.