Sefer Selimi kritikon Parlamentin Studentor të UT-së për heshtjen ndaj provimit të jurisprudencës dhe ofertës së Jeton Shasivarit
Analisti Sefer Selimi ka kritikuar Parlamentin Studentor të Universitetit të Tetovës për mungesën e një qëndrimi publik lidhur me kërkesën e studentëve për dhënien e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
Selimi thekson se, ndërkohë që unionet studentore të Universitetit “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) kanë kundërshtuar publikisht zgjidhjen e propozuar nga ministri Shazivari, Parlamenti Studentor i UT-së vazhdon të heshtë.
Sipas tij, kërkesa e studentëve nuk kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës, por përfshin të drejtën për t’i dhënë të gjitha provimet profesionale në gjuhën shqipe, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ai rikujton se Universiteti i Tetovës u themelua si rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave për arsimimin në gjuhën shqipe, duke vënë në pikëpyetje heshtjen e përfaqësuesve studentorë përballë një çështjeje që prek drejtpërdrejt të drejtat e studentëve.
“Për çfarë shërben një Parlament Studentor nëse nuk e ngre zërin pikërisht atëherë kur studentët kanë më shumë nevojë për të?”, pyet Selimi në reagimin e tij.