Arrestohet 44-vjeçari nga Gostivari, ecte me 194 km/h me Rolls-Royce në autostradën Gostivar–Tetovë





Një 44-vjeçar nga Gostivari është privuar nga liria pasi është kapur duke drejtuar një automjet të markës „Rolls-Royce“ me shpejtësi prej 194 km/h në autostradën Gostivar–Tetovë, në një segment ku kufizimi është 80 km/h.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), rasti është regjistruar më 23 tetor, në orën 12:05. Shpejtësia është matur nga zyrtarët policorë të Njësisë Mobile për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, me një automjet të posaçëm policor për kapjen e kundërvajtjeve në trafik.

Automjeti me targa të Tetovës po lëvizte 114 km/h mbi shpejtësinë e lejuar.

Shoferi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“. Nga MPB bëjnë të ditur se janë ndërmarrë masat përkatëse dhe ndaj tij do të iniciohet procedurë.

Ministria njofton se kontrollet e përforcuara në trafik do të vazhdojnë, ndërsa u bën apel shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo