Siljanovska-Davkova diskuton në Budapest për marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian





Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë qëndrimit në Budapest, ka marrë pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidenti i Hungarisë, Andras Baka, për krerët e delegacioneve me rastin e shënimit të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez.

Presidenca e Maqedonisë së Veriut njoftoi se Siljanovska-Davkova e përgëzoi presidentin hungarez për zgjedhjen e tij në postin e presidentit në gusht të këtij viti dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve përmes dialogut politik, shkëmbimit të vizitave dhe avancimit të bashkëpunimit ekonomik.

Ajo gjithashtu falënderoi Hungarinë për mbështetjen parimore dhe të fuqishme ndaj integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimin e saj aktiv në kuadër të Grupit të Vishegradit.

Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), të bazuar në merita dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevojën për forcimin e multilateralizmit si mekanizëm për ndërtimin e institucioneve të forta, të cilat do t’u mundësonin vendeve të vogla pjesëmarrje më të madhe në proceset vendimmarrëse për çështjet globale.

Presidentja maqedonase shprehu qëndrimet e saj për nevojën e reformave të thella në organizatat ndërkombëtare dhe kalimin nga diplomacia reaktive në atë parandaluese, si parakusht për përballimin efektiv të krizave globale.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo