Netanyahu urdhëron mbylljen e Bregut Perëndimor: Jemi gati për një operacion të paparë që nga viti 1967

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë hartuar plane për atë që do të ishte operacioni më i madh në Bregun Perëndimor që nga pushtimi izraelit i këtij territori në vitin 1967. Këtë e njoftoi sot kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas një videoje të publikuar nga zyra e tij.

“IDF-ja është gati ta realizojë këtë operacion dhe ne do të vendosim se kur do të zhvillohet, por ai është i pashmangshëm”, shtoi kryeministri.

Në qershor të vitit 1967 u zhvillua Lufta Gjashtëditore, në të cilën Izraeli luftoi kundër Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë. Në përfundim të konfliktit, shteti izraelit pushtoi, ndër të tjera, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, territore që më parë kontrolloheshin nga Jordania.

“Do të angazhohemi për ta shkatërruar këtë vend dhe për ta ndryshuar plotësisht”, shtoi kryeministri.

Pas sulmit, Izraeli kishte njoftuar se do të shkatërronte shtëpitë e zonës si masë hakmarrëse. Sipas burimeve të Reuters, operacioni ka nisur, megjithëse nuk ka prova të verifikueshme që të vërtetojnë një lidhje mes atentatit, banorëve dhe banesave të tyre.

Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, Netanyahu vizitoi qytetin e Hebronit, në jug të Bregut Perëndimor, ku mëngjesin e sotëm dy persona të armatosur palestinezë hapën zjarr ndaj një pike kontrolli izraelite.

Nga shkëmbimi i zjarrit humbën jetën dy ushtarë izraelitë, ndërsa tre të tjerë u plagosën. Dy personat e dyshuar si autorë të sulmit u vranë nga forcat izraelite gjatë një përplasjeje të armatosur që pasoi./ Corriere.it

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo