Italia buzëqesh në Champions League, 4 fitore në 4 ndeshjet e raundit të tretë

Pas një jave zhgënjyese në Champions League, futbolli italian ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të gjitha skuadrat e Serie A kanë fituar ndeshjet e raundit të tretë, duke përmirësuar pozitat e Italisë në renditjen e UEFA-s dhe duke rritur shpresat për një vend shtesë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Futbolli italian ka arsye për të buzëqeshur sërish në arenën europiane. Napoli, Como dhe Roma shkëlqyen me fitore bindëse, duke shënuar nga katër gola në ndeshjet e tyre, ndërsa Interi siguroi tri pikët me një fitore minimale ndaj Shakhtarit.

Suksesi i zikaltërve mori edhe më shumë vlerë për shkak të vështirësive gjatë takimit, pasi Interi luajti me një futbollist më pak pas kartonit të kuq të Bastonit.

Këto rezultate kanë ndikuar drejtpërdrejt në garën për koeficientët sezonalë të UEFA-s, klasifikim që përcakton se cilat kampionate mund të përfitojnë një vend shtesë në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Falë rezultateve pozitive, Italia ka arritur në kuotën e 6.357 pikëve, duke u renditur në vendin e pestë. Diferenca me Spanjën, që mban vendin e dytë me 6.750 pikë, është ngushtuar në vetëm 0.393 pikë.

Në krye qëndron Anglia me 7.388 pikë, ndërsa pas saj renditet Spanja, e ndjekur nga Gjermania dhe Turqia.

Megjithatë, gara mbetet e hapur dhe shumëçka do të varet nga rezultatet në të gjitha kompeticionet europiane. Milani dhe Juventusi në Europa League, si dhe Atalanta në Conference League, mund të japin kontributin e tyre për të përmirësuar pozitat e Italisë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo