Mickoski: Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe forcimit të partneriteteve me liderët evropianë
Gazetari: Kryeministër, në deklaratën e parë që dhatë, thatë se prisni që në samitin e sotëm të përcillen mesazhe të fuqishme dhe të rëndësishme. A i përmbushi takimi pritshmëritë tuaja?
Hristijan Mickoski: Po, në përgjithësi, po. U dërguan mesazhe të fuqishme si nga kancelari Merz, ashtu edhe nga kancelari Shtocker, i cili do të jetë bashkëkryesues i samitit të ardhshëm që do të mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjithashtu, mund të them se edhe nga pjesëmarrësit e tjerë në pjesën punuese të takimit u konfirmuan vullneti, iniciativa, por edhe prioritetet se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Evropës dhe se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt.
Ajo që është e rëndësishme për ne si shtet është fakti se tashmë e kemi harmonizuar politikën tonë të jashtme dhe të mbrojtjes me Bashkimin Evropian, se jemi shumë përpara në përmbushjen e agjendës së reformave dhe se, praktikisht, gjithçka që kërkohet prej nesh dhe që lidhet me parimin që progresi të vlerësohet në bazë të rezultateve të arritura, ne po e realizojmë dhe po e përmbushim. Pres, dhe këtë e thashë edhe gjatë pjesës punuese të takimit, që e gjithë kjo për të cilën po flas të vlerësohet në një të ardhme shumë të afërt dhe të na jepet mundësia që më në fund të mund ta fillojmë procesin e negociatave. Gjithashtu, theksova se integrimi gradual paraqet një shans dhe mundësi për të gjithë ne, por ai në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Zhvillova disa takime bilaterale, gjatë të cilave bisedova me bashkëbiseduesit për gjendjen në vendin tonë. Por, gjithashtu, ajo që dua të them dhe që nuk mund ta heq nga rrjedha e përgjithshme e pjesës operative, përkatësisht të punës së vetë samitit, është sfida me të cilën po përballet sot e gjithë bota, veçanërisht, do të thosha, kriza historike energjetike, e cila në shumë aspekte ndikon që sot të kemi trazira në disa kryeqytete të Evropës, madje edhe tek ne në rajon, por gjithashtu edhe lufta në Ukrainë. Praktikisht, jetojmë në një atmosferë të një Lufte të Tretë Botërore të heshtur, e cila do të sjellë sfida të mëdha për njerëzimin. Ajo që u tha nga disa prej bashkëbiseduesve të cilët, kushtimisht thënë, ndoshta kanë më shumë informacione sesa unë, që janë përfaqësues të lartë të vetë Bashkimit Evropian, është se dy vitet e ardhshme do të jenë jashtëzakonisht, jashtëzakonisht sfiduese dhe të vështira dhe se duhet të tregohet shumë kujdes si në atë që nënkupton shpenzime, ashtu edhe në atë që nënkupton përgjegjësi shtetërore.
Gazetari: Ndryshimet kushtetuese vazhdojnë të mbeten pengesë për fillimin e negociatave. Fillimisht ministri Mucunski, e më pas edhe ju, ngritët idenë për një karrige të tretë në tryezën e negociatave me Bullgarinë. A ka gjasa për dialog në një të ardhme të afërt dhe çfarë thonë partnerët evropianë? A mund të ndihmojnë ata në ndonjë mënyrë në këtë proces?
Hristijan Mickoski: Ndryshimet kushtetuese do të na kujtojnë gjithmonë politikën kapitulluese të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, atë që ata pranuan. Dhe ndonjëherë habitem kur dëgjoj funksionarë të lartë të qeverisë së mëparshme, veçanërisht nga LSDM-ja, të cilët thonë: “Mirë, atëhere ne ishim qeveri, tani ju jeni qeveria, deri ku keni arritur me integrimin evropian dhe procesin evropian?”.
Ju ishit në qeveri, na latë mbi shpinë një barrë të rëndë, të cilën ne tani duhet ta mbajmë dhe ta korrigjojmë, dhe ata presin që ne brenda natës ta korrigjojmë dhe ta kthejmë në një rrjedhë normale gjithçka që ishte ndërtuar për dekada dhe që ata e shitën. Kjo nuk funksionon kështu, duhet kohë.
Ne po luftojmë, nuk do të heqim dorë nga beteja që ka të bëjë me interesat kombëtare maqedonase, por gjithashtu nuk do të heqim dorë as nga qëllimi ynë strategjik për të qenë pjesë e familjes evropiane, aty ku e kemi vendin. Dhe për këtë qëllim, si dhe për t’i parë synimet dhe qëllimet e vërteta të të gjithë aktorëve të përfshirë në proces, ne themi: mirë, parakusht për gjithçka, madje edhe nëse nesër do të ndodhte ndryshimi i Kushtetutës, së pari të dakordësohemi për planin e veprimit për pakicat, për të cilin 26 shtete anëtare thonë qartë se nuk kemi problem, ndërsa një shtet anëtar thotë se kemi problem. Atëherë, le të ulemi me atë shtet anëtar dhe tëdakordohemi, të shohim dhe ta përgatisim atë dokument në mënyrë që të jetë i pranueshëm për të gjitha 27 shtetet anëtare, e më pas, në fazën e dytë, të flasim për atë që ne si qeveri presim dhe për atë që duhet të përmbushim si qeveri. Sepse ky dokument, plani i veprimit për pakicat, është parakusht për të vazhduar procesin e negociatave.
Prandaj, i hedh poshtë të gjitha ato teza të opozitës: “Mirë, ata tani nuk janë në pushtet, ne jemi”. Po, e saktë, por kur ishit në pushtet, e grabitët dhe e poshtëruat aq shumë shtetin, saqë ne në këta dy-tre-katër muaj nuk mund ta rikuperojmë të gjithë atë. Po, po rikuperojmë një pjesë të saj, po e rikuperojmë, po luftojmë, jemi këmbëngulës, jemi të qëndrueshëm dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Por, gjithçka që ata e shitën, e vodhën dhe e shkatërruan, ne, për fat të keq, nuk mund ta rikuperojmë brenda këtyre njëzet e tre-katër muajve. Megjithatë, ajo që është synimi ynë dhe që unë e kam përsëritur shumë herë në deklaratat e mia deri më tani, është se sot Maqedonia është një vend shumë më i mirë për të jetuar sesa ishte para tre vjetësh, dhe kjo në kushtet e një krize epike botërore, kur një pjesë e madhe e shteteve të botës po luftojnë për të mbijetuar.
Ju faleminderit.










