Dimitrieska-Koçoska: Me ribalancin bëjmë korrigjime në përputhje me kushtet reale ekonomike – qëllimi ynë është që buxheti të mbetet i qëndrueshëm dhe zhvillimor
Sot, para deputetëve të Komisionit të Financimit dhe Buxhetit, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, prezantoi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026, me të cilin projeksionet buxhetore harmonizohen me kushtet e reja ekonomike, arritjet gjatë vitit dhe dinamikën reale të realizimit të shpenzimeve.
Ministrja, në ekspozenë e saj, theksoi se ribalanci i dytë është reagim në kohë ndaj pasigurisë globale, tensioneve gjeopolitike dhe çrregullimeve në tregjet energjetike, të cilat ndikojnë në zhvillimet ekonomike dhe të ardhurat buxhetore.
“Me ribalancin e dytë të Buxhetit për vitin 2026, i harmonizojmë projeksionet me zhvillimet reale ekonomike, realizimin e deritanishëm dhe efektet e masave të ndërmarra gjatë vitit. Kjo është qasje e përgjegjshme në kushte pasigurie, që t’i korrigjojmë projeksionet aty ku e kërkon realiteti, t’i ulim shpenzimet aty ku ka hapësirë për racionalizim, por njëkohësisht t’i ruajmë mjetet për detyrimet ligjore, shërbimet shëndetësore, mbrojtjen sociale dhe projektet prioritare zhvillimore”, theksoi ministrja.
Me ndryshimet e propozuara, të ardhurat e përgjithshme buxhetore janë projektuar në 374.2 miliardë denarë, që paraqet ulje prej rreth 5.3 miliardë denarësh krahasuar me projeksionet paraprake. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore ulen për të njëjtën vlerë dhe janë planifikuar në 420.5 miliardë denarë. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në 46.3 miliardë denarë, përkatësisht 4.1% e PBB-së.
Projeksioni i rritjes ekonomike për vitin 2026 është 3.5%.
Në anën e të ardhurave, ulja më e theksuar është te akcizat, nga 34.1 në 30.4 miliardë denarë, si rezultat i masave për uljen e akcizave për karburantet. Në anën e shpenzimeve, parashikohet racionalizim dhe shfrytëzim më efikas i mjeteve publike. Shpenzimet kapitale zvogëlohen për shkak të dinamikës së prolonguar të realizimit të projekteve të caktuara dhe realizimit më të ulët të mjeteve nga të ardhurat vetanake, donacionet dhe huatë.
Siç theksoi ministrja, bëhen korrigjime aty ku realizimi e kërkon, pa hequr dorë nga prioritetet zhvillimore.
“Qëllimi ynë është që buxheti të mbetet real, i qëndrueshëm dhe zhvillimor. Disiplina buxhetore nuk do të thotë heqje dorë nga zhvillimi, por përcaktim më i mirë i prioriteteve, përgjegjësi më e madhe në shpenzimet dhe harmonizim i detyrimeve me mjetet e disponueshme. Vazhdojmë me investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, në fushën e arsimit, mjedisit jetësor, bujqësisë, efikasitet energjetik dhe modernizim të financave publike, me përkrahje nga burimet financiare vendase dhe ndërkombëtare”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Ndër prioritetet vazhdojnë të jenë projektet rrugore, përfshirë korridoret 8 dhe 10d, si dhe rruga Shkup–Bllacë, krahas projekteve hekurudhore në akset Bellakovcë–Kriva Pallankë dhe Tabanoc. Vijojnë aktivitetet për ndërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë, kanalizimit dhe menaxhimit të mbeturinave. Mjetet financiare destinohen gjithashtu drejt efikasitetit energjetik, infrastrukturës arsimore, rikonstruimit të konvikteve studentore, bujqësisë dhe realizimit të projekteve infrastrukturore lokale.
Ministrja theksoi se me ribalancin e propozuar sigurohet harmonizimi i projeksioneve buxhetore me zhvillimet reale ekonomike, përmbushja e rregullt e detyrimeve ligjore dhe vazhdimi i realizimit të projekteve prioritare zhvillimore, përmes menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike dhe ruajtjes së deficitit buxhetor të planifikuar.
Debati në Komisionin e Financimit dhe Buxhetit lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Buxhetit për vitin 2026 zgjat jo më shumë se 10 ditë.