Meloni ndërhyn pas bllokadave në Itali, 70 milionë euro ndihmë për bujqësinë dhe peshkimin

Pas ditësh paralizim në transport, qeveria ofron zgjidhje. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pas mbledhjes së qeverisë, prezantoi një ligj emergjent me masa mbështetëse për sektorët e transportit, bujqësisë dhe peshkimit.

“I kam kërkuar Ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi t’i përgjigjet kërkesës së shoqatave që përfaqësojnë operatorët e transportit, fermerët dhe shpërndarësit për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave dhe furnizimin e produkteve për bizneset dhe, në fund të fundit, për qytetarët, duke parandaluar gjithashtu spekulimet me çmimet që përndryshe do të ishin të pashmangshme”, tha kryeministrja italiane, përcjell A2 CNN.

Meloni shtoi se qeveria italiane dëgjon gjithmonë ata që protestojnë paqësisht dhe punon për të dhënë përgjigje konkrete. Kryeministrja konfirmoi marrëveshjen me shoqatat e transportit që përfshin: “Po ndajmë 60 milionë euro për një grant të pakthyeshëm për koston e naftës bujqësore, e cila do të përkthehet në një zbritje deri në 45 cent për litër për mbi 120 milionë litra. Gjithashtu po ndajmë 10 milionë euro për peshkimin. Edhe këtu, e dimë sa komplekse është situata për peshkatarët tanë”.

Kryeministrja italiane paralajmëroi ata kamionistë që nuk lirojnë rrugët e bllokuara dhe kërcënojnë kolegët e tyre me çarje të gomave dhe metoda të tjera, se do të përballen me drejtësinë. Revolta dhe greva në sektorin e transportit nisi për shkak të shtrenjtimit të karburantit dhe asaj që e konsideruan reagim të dobët të qeverisë në Romë për mbështetjen e tyre në kohë krize.

Bllokadat e rrugëve në jug të vendit kanë shkaktuar kilometra të tëra radhë dhe kanë penguar transportin e produkteve ushqimore dhe farmaceutike. Protesta ka krijuar probleme edhe në disa aeroporte të jugut, ku është raportuar vështirësi në furnizimin me karburant për avionët dhe kompanive u është kërkuar të furnizohen në aeroporte të tjera. Në autostrada, çmimi mesatar i naftës ka arritur në 2 euro e 30 centë për litër, nga 2 euro e 29 centë një ditë më parë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo