Mexhiti: Zbulimi i hershëm shpëton jetë, ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit duhet të arrijë në çdo familje
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Tetorit Rozë, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në një aktivitet edukativ dhe ndërgjegjësues të organizuar në shkollën fillore “Ismail Qemali”, së bashku me Dr. Ilir Ismailin, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës.
Aktiviteti u përqendrua në rëndësinë e informimit, ndërgjegjësimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke theksuar rolin e edukimit shëndetësor dhe të kontrolleve të rregullta në mbrojtjen e shëndetit. Përmes bashkëbisedimit me të pranishmit, u përcoll mesazhi se kujdesi për shëndetin dhe informimi i vazhdueshëm janë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë.
“Tetori Rozë është një kujtesë e rëndësishme se lufta kundër kancerit të gjirit kërkon ndërgjegjësim, solidaritet dhe veprim të vazhdueshëm. Sot, së bashku me Dr. Ilir Ismailin, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës ‘Ismail Qemali’, biseduam për rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta. Si Komunë e Çairit, do të vazhdojmë të mbështesim nisma që promovojnë edukimin shëndetësor dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Synimi ynë është që ky mesazh të arrijë në çdo familje, sepse zbulimi i hershëm shpëton jetë”, deklaroi Mexhiti.
Komuna e Çairit do të vijojë mbështetjen e aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe profesionistët shëndetësorë, me qëllim promovimin e kulturës së kujdesit parandalues, informimit dhe përgjegjësisë ndaj shëndetit publik.