Ministria e Drejtësisë ka nisur dialogun konsultativ me fakultetet juridike dhe studentët lidhur me ndryshimet e propozuara për dhënien e Provimit të Jurisprudencës





Qëllimi i takimit është që përmes një dialogu të hapur dhe konstruktiv të shqyrtohen ndryshimet e propozuara, të dëgjohen qëndrimet e komunitetit akademik dhe studentëve, si dhe të arrihet një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht e qëndrueshme dhe e orientuar drejt standardeve evropiane.
“Nuk dëshirojmë që zgjidhjet ligjore të miratohen pas dyerve të mbyllura, ndërsa studentët dhe fakultetet të vihen para një akti të kryer. Dëshirojmë një proces në të cilin vërejtjet, propozimet dhe argumentet e tyre do të kenë peshë të vërtetë”, theksoi ministri Shasivari.
Ai nënvizoi se çështja e Provimit të Jurisprudencës duhet të trajtohet para së gjithash si çështje juridike dhe institucionale, ndërsa zgjidhjet duhet të bazohen në argumente profesionale, respekt të ndërsjellë dhe dialog konstruktiv.
“Qëllimi ynë është të arrijmë një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht të qëndrueshme dhe të orientuar drejt standardeve evropiane, e cila do t’i marrë parasysh nevojat e të gjithë studentëve që ndjekin arsimin e lartë juridik në gjuhë të ndryshme”, theksoi Shasivari.
Ndryshimet e propozuara synojnë të vendosin një ekuilibër ndërmjet respektimit të së drejtës për arsimim dhe mundësisë së përdorimit të gjuhës tjetër në të cilën kandidati i ka përfunduar studimet juridike, nga njëra anë, dhe nevojës për një sistem gjyqësor unik, funksional dhe profesional, nga ana tjetër.
Sipas ministrit, qëllimi është të sigurohen mundësi më të barabarta për kandidatët, pa hequr dorë nga standardet e unifikuara profesionale që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve juridike.
“Ndryshimet nuk synojnë krijimin e sistemeve paralele për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, por vendosjen e një modeli të vetëm, në të cilin gjithëpërfshirja gjuhësore dhe standardet profesionale plotësojnë njëra-tjetrën”, theksoi ministri i Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, theksoi se Qeveria ka një përcaktim të qartë për respektimin dhe avancimin e të drejtave gjuhësore, duke respektuar plotësisht Kushtetutën, ligjet dhe standardet profesionale.
Me qëllim të sigurimit të një sigurie juridike shtesë dhe përputhshmërisë me standardet evropiane, ministri paralajmëroi se do të kërkohet mendim brenda një afati të shkurtër nga Komisioni i Venecias, organi këshillëdhënës i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese dhe juridike.
“Besojmë në argumentet mbi të cilat e kemi ndërtuar modelin e propozuar dhe jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë të gjitha rekomandimet që do të dalin nga kjo procedurë”, deklaroi Shasivari.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, në të cilin të gjitha palët e interesuara do të kenë mundësi të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje juridikisht të qëndrueshme, të bazuar në dialog, mundësi të barabarta dhe respektim të standardeve juridike evropiane.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo