MPB me aksion të gjerë në 66 lokale dhe kazino: Arrestohen persona, zbulohen të mitur pas mesnate dhe lojëra fati të paligjshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrollesh në 66 objekte hotelierike dhe kazino në mbarë vendin, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore, janë arrestuar disa persona dhe janë zbuluar raste të shërbimit të alkoolit për të mitur.

Sipas njoftimit të MPB-së, më 17 dhe 18 tetor 2026, Departamenti i Policisë Kriminalistike, në bashkëpunim me sektorët e punëve të brendshme dhe në koordinim me inspektoratet kompetente, realizoi kontrolle në objekte hotelierike dhe kazino.

Gjatë aksionit, policia legjitimoi 38 persona, kontrolloi 61 persona dhe një automjet, ndërsa u verifikua identiteti i 31 personave.

Kontrollet zbuluan se në një lokal një person ushtronte veprimtarinë e sigurimit fizik pa licencë dhe pa legjitimacion, ndërsa në një objekt tjetër ishte prishur rendi dhe qetësia publike. Gjithashtu, u shqiptuan tre gjoba për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit.

Një person u arrestua pasi refuzoi të identifikohej, ndërsa tre shtetas të huaj u privuan nga liria për shkak të qëndrimit të parregulluar në vend.

Policia konstatoi edhe shkelje që lidhen me mbrojtjen e të miturve. Në një objekt u gjetën katër të mitur pas orës 00:00, ndërsa në dy lokale u konstatua se u ishte shërbyer alkool personave të mitur.

Në afërsi të fshatit Mazhuçishtë të Prilepit, policia ndaloi një drejtues automjeti që drejtonte nën ndikimin e alkoolit. Testimi tregoi 2.04 promil alkool në gjak, ndërsa personi u arrestua nën dyshimin për veprën penale “Drejtim i pakujdesshëm i automjetit”.

Në kuadër të aksionit, policia e Kërçovës kreu kontroll në një lokacion ku organizoheshin lojëra fati të paligjshme. Në vendngjarje u gjetën dy persona dhe u sekuestruan sende që lidhen me rastin. Pas dokumentimit të plotë do të vijojnë procedurat përkatëse.

Në kontrollet morën pjesë edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Inspektorati Shtetëror i Punës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilat konstatuan parregullsi si punëtorë të padeklaruar, ushtrim veprimtarie pa leje, moslëshim të faturave fiskale, veprimtari të paregjistruar, qarkullim në valuta të huaja, si dhe mangësi në kushtet higjienike dhe mbrojtjen nga zjarri.

MPB njoftoi se kontrollet e koordinuara në objektet hotelierike dhe kazinotë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin e veprimtarive të paligjshme, respektimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo