Lamtumirë, Messi! Legjenda mbyll karrierën me Argjentinën

Nuk ishte ndeshje e thjeshtë futbolli por nata kur Argjentina i tha lamtumirë Lionel Messit i cili luajti mbrëmë ndeshjen e fundit me fanellën e kombëtares së Argjentinës.

Sulmuesi luajti 90 minuta të plota në stadiumin Monumental, përpara rreth 85 mijë tifozëve që kishin mbushur tribunat për t’i dhënë lamtumirën një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e Argjentinës.

Tifozët që shkuan për të shikuar Mesin për herë të fundit në një ndeshje futbolli kujtojnë momentet që ai i ka dhuruar Argjentinës.

“Mendoj se momenti që pati ndikimin më të madh te unë dhe te të gjithë ishte padyshim Kupa e Botës”. – Ignacio Cinquemani, Student.

“Messi la pas një trashëgimi vendosmërie dhe uniteti, veçanërisht për popullin e Argjentinës. Ai lë pas një ndjesi komuniteti dhe tregon se gjërat e mëdha janë gjithmonë të mundshme”. – Fernando Rodriguez, biznesmen meksikan.

“Pra, mendoj se fakti që ai është një njeri kaq i mirë, si dhe përulësia që e karakterizon, janë ato që e bëjnë më të mirin në botë” – Ignacio Cinquemani, Student.

Pas përfundimit të ndeshjes, stadiumi u kthye në një skenë madhështore festimi, me drita lazeri, muzikë live dhe fishekzjarrë. Një fanellë gjigante e Argjentinës me numrin 10 dhe fjalën “Gracias” u shfaq në fushë, ndërsa Messi iu drejtua tifozëve me një fjalim gati 10-minutësh. Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni u përlot në konferencë për media duke thënë se skuadra pa Mesin do ta ketë vështirë.

“Për mua, ishte një ëndërr të kisha stërvitur lojtarin më të mirë në histori. Argjentina do të vazhdojë, por ai është një lojtar unik” – Lionel Skaloni, Trajner i Argjentinës.

Lionel Mesi largohet nga kombëtarja pasi fitoi Kupën e Botës dhe dy Kupa të Amerikës me Argjentinën. Messi debutoi me kombëtaren në vitin 2005, në një ndeshje miqësore ndaj Hungarisë, dhe pavarësisht një fillimi të vështirë, ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Pas lamtumirës nga Argjentina, karriera e tij do të vazhdojë në nivel klubesh me Inter Miami në SHBA.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo