Çlirim Haziri kërkon lirimin e dy veteranëve të UÇK-së, njëri dyshohet për sulmin ndaj deputetit të VV-së
Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka kërkuar lirimin e dy veteranëve të UÇK-së, Ekrem Selimit dhe Fatlum Zogajt, të cilëve Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim pas protestës së 5 tetorit.
Zogaj dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar, lidhur me incidentin ku ishte përfshirë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi. Ndërkaq, Selimi është anëtar i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Përmes një reagimi në Facebook, Haziri ka thënë se votimi i Ligjit për UÇK-në ishte një moment krenarie, por sipas tij, ky moment mbetet i paplotë përderisa dy protestuesit po mbahen larg familjeve të tyre.
Postimi i plotë:
THIRRJE PËR LIRIMIN E DY VETERANËVE TË UÇK-SË!
Votimi i Ligjit për UÇK-në ishte një moment krenarie, por ky moment mbetet i paplotë për sa kohë dy nga protestuesit tanë po mbahen ende larg familjeve të tyre.
Gjatë ditëve të protestës, u ndaluan dy qytetarë, të cilët janë edhe veteranë të UÇK-së. Dalja e tyre në shesh nuk ishte asgjë më shumë se një shprehje e natyrshme për të mbrojtur historinë dhe vlerat për të cilat dikur ishin të gatshëm të jepnin jetën.
Nuk është as e drejtë dhe as njerëzore që ata të trajtohen me masa kaq të ashpra nga shteti i tyre, vetëm pse ngritën zërin për dinjitetin e kombit.
I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe t’i lirojnë sa më parë. Këta burra e kanë vendin në shtëpitë e tyre, si qytetarë të lirë të Republikës që ndihmuan ta ndërtojnë vetë.