PTHP hap procedurë ndaj prokurorit të lartë publik nga Manastiri, i dyshuar për ndikim në së paku katër çështje





Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka hapur procedurë ndaj një prokurori të lartë publik nga Prokuroria e Lartë Publike në Manastir, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Sipas Prokurorisë, në periudhën e mëparshme janë ndërmarrë disa veprime dhe janë zbatuar masa të posaçme hetimore, me të cilat janë siguruar prova që tregojnë dyshim të bazuar se prokurori ka përdorur pozitën e tij zyrtare dhe ndikimin real për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorëve të tjerë publikë dhe gjyqtarëve, përcjell Pa Censurë.

Dyshimet lidhen me së paku katër çështje të veçanta në zonën ku ai ushtronte funksionin e tij. Sipas pohimeve të Prokurorisë, ai ka urgjuar për shqiptimin e dënimeve më të ulëta ose për sigurimin e një pozite më të favorshme për personat e dyshuar ose të akuzuar në procedura penale.

Gjatë ditës së djeshme, me urdhër gjyqësor, janë kryer kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit, si dhe në ambientet e Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir. Qëllimi i kontrolleve ka qenë sigurimi i provave shtesë të lidhura me rastin.

Prokurori publik kompetent vazhdon me shqyrtimin e pohimeve dhe provave në çështjen. Te gjyqtari i procedurës paraprake është dërguar edhe propozim për caktimin e masave të kujdesit për të dyshuarin, transmeton Pa Censurë.

Masat e propozuara përfshijnë heqjen e pasaportës dhe ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të caktuara pune, përkatësisht largimin e tij nga vendi i punës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo