Mbyllet pjesa e parë, Finlanda barazon 1-1 me Shqipërinë, kuqezinjtë me 10 lojtarë pas daljes së Berishës me të kuq

Është mbyllur në barazim 1-1 pjesa e parë mes Finlandës dhe Shqipërisë, e cila po luhet në Helsinki, në kuadër të raundit të tretë të Ligës së Kombeve, në Grupin C1.

Shqipëria e nisi ndeshjen në avantazh që në minutën e 4-t. Asllani ka kro­suar nga këndorja dhe Manaj ka shënuar pas goditjes me kokë, duke festuar me kuqezinjtë.

Sfida ka marrë një rrjedhë tjetër në minutën e 22-të, kur kuqezinjtë kanë mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të portierit Etrit Berisha. Berisha është ndëshkuar me karton të kuq pas daljes nga zona e rreptësisë, duke lënë Shqipërinë me një lojtar më pak. Në vendin e tij është futur portieri Sherri.

Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 26-të, Finlanda ka gjetur golin e barazimit me një goditje të lirë, me Sherrin që ka pësuar golin në portën e Shqipërisë.

Kështu, pjesa e parë është mbyllur 1-1, me Shqipërinë që duhet të vijojë ndeshjen me një lojtar më pak.

Të dyja përfaqësueset synojnë kreun e grupit. Shqipëria e nisi ndeshjen në vendin e parë me 6 pikë, dy më shumë se Finlanda, që ka grumbulluar 4 pikë në dy takimet e para.

Trajneri Rolando Maran ka bërë disa ndryshime në formacionin titullar në krahasim me sfidën e kaluar ndaj San Marinos.

Berisha është rikthyer titullar në vendin e Sherrit. Hysaj ka marrë vendin e Sinës në mbrojtje, ndërsa ky i fundit ka përfunduar në tribunë. Në mesfushë është rikthyer Ramadani, i cili zëvendëson Shehun.

Po ashtu, Pilo është rikthyer në formacion, ndërsa surprizë është ulja në stol e Mehmetit. Uzuni gjithashtu nuk e nis nga minuta e parë, me Hoxhën që ka marrë vendin e tij në formacion.

Në tribunë kanë përfunduar Samuele Sina, Klevi Qefalija dhe Sabah Kerjota. Në dispozicion ndërkohë janë sërish Klisman Cake, Naser Aliji dhe Feta Fetai.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo