Problemet me llogaritë në WhatsApp, Njësia për Siguri Kibernetike rekomandon marrjen e këtyre masave

Problemet me llogaritë në WhatsApp, Njësia për Siguri Kibernetike rekomandon marrjen e këtyre masave
Njësia nacionale për Siguri Kibernetike e Kosovës (KOS-CERT) ka njoftuar se është duke i trajtuar rastet që janë raportuar gjatë ditëve të fundit lidhur me kompromentimin e llogarive në aplikacionin WhatsApp.

Në koordinim me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe në bashkëpunim me operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë, KOS-CERT ka deklaruar se është në kontakt me kompaninë Meta për të analizuar rastet e raportuara e për të identifikuar mënyrat dhe mekanizmat e përdorur.

Deri në përfundimin e analizave, KOS-CERT u ka rekomanduar qytetarëve kujdes të shtuar dhe zbatimin e këtyre masave të sigurisë:

• Mos e ndani me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp (OTP) të pranuar përmes SMS-it apo kanaleve të tjera.

• Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-Step Verification) në llogarinë tuaj WhatsApp.

• Kontrolloni pajisjet e lidhura (Linked Devices) me llogarinë tuaj. Nëse identifikoni një pajisje që nuk e njihni ose nuk e keni autorizuar, shkëputeni menjëherë.

• Mos klikoni në vegëza të dyshimta të pranuara përmes SMS-it, email-it, WhatsApp-it apo platformave të tjera, veçanërisht kur kërkohet verifikimi i llogarisë ose dhënia e të dhënave personale.

• Kushtojini vëmendje njoftimeve për regjistrimin e llogarisë në një pajisje tjetër. Nëse pranoni një kod ose njoftim për një tentativë regjistrimi që nuk është iniciuar nga ju, mos e ndani kodin dhe mos e autorizoni kërkesën.

• Mbroni edhe adresën e email-it të lidhur me llogarinë, duke përdorur një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë (MFA), kur kjo mundësi ofrohet.

• Mos ndani fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna personale, edhe kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i njohur. Llogaria e personit që ju kontakton mund të jetë gjithashtu e komprometuar.

Në njoftim thuhet se nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, përdorni vetëm mekanizmat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e llogarisë dhe raportoni incidentin tek KOS-CERT.

“KOS-CERT do të vazhdojë monitorimin dhe analizimin e situatës, si dhe koordinimin me institucionet tjera, operatorët dhe partnerët relevantë, me qëllim të sqarimit të plotë të rasteve dhe ndërmarrjes së masave të nevojshme.”

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo