Drejtori i VLEN-it Granit Osmani kërkon bojkotimin e Marshit të UÇK-së që do mbahet nesër në Shkup: “Tërhoqa mbështetjen time”

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, ka reaguar lidhur me Marshin Protestues që pritet të mbahet nesër në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Osmani thotë se fillimisht kishte bërë thirrje për mbështetje masive të protestës, por se më pas e ka tërhequr mbështetjen për organizimin, pasi, sipas tij, është bërë e qartë se pas tij qëndron një organizim politik.

“Unë nuk kam ndryshuar qëndrim ndaj kauzës. Kam ndryshuar qëndrim ndaj keqpërdorimit të kauzës”, ka shkruar Osmani.

Ai thekson se UÇK-ja nuk duhet të përdoret për interesa partiake dhe se bashkëluftëtarët nuk duhet të shërbejnë si “dekor për mbijetesën politike të askujt”, njofton TS.

“UÇK-ja nuk është pronë e BDI-së. Bashkëluftëtarët nuk janë dekor për mbijetesën politike të askujt. As vuajtja e tyre nuk mund të shndërrohet në kapital politik”, shprehet Osmani.

Duke folur për të kaluarën e tij, Osmani thekson se ka marrë pjesë në luftë dhe se është invalid lufte, duke shtuar se e di dallimin mes mbështetjes së një kauze dhe angazhimit për një parti politike.

“Kauzën do ta mbështes. Bashkëluftëtarët do t’i mbështes. Por asnjë parti nuk do të ketë të drejtë ta përdorë emrin e UÇK-së si mburojë për interesat e veta politike”, ka deklaruar ai.

Marshi protestues është paralajmëruar për nesër në orën 14:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo