Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit, e cila u pezullua nga detyra.
Sipas Euronews Albania, ndaj Hysenit “me kërkesë të SPAK dhe me vendim të GJKKO-së, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës për shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit”.
Ende nuk dihet se për çfarë akuzash e ka marrë në hetim SPAK Hysenin, ndërkohë që raportohet se është duke u kontrolluar edhe banesa e saj.
Lexo edhe:
“Përkrahu autorin e krimit” dhe “nxori sekretin shtetëror”, dy akuzat për të cilat dyshohet Vlora Hyseni, sipas raportimeve
Kush është Vlora Hyseni, nga AKI-ja në krye të SHISH-it, tash e pezulluar pas hetimit të SPAK-ut
Pretendimi i avokatit: Bleona Mata është gjetur dhe jeton në një vend të BE-së
Kontrolle po ushtrohen edhe ndaj disa personave të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij vendimi të GJKKO-së.
Hyseni ka qenë shpesh herë në shënjestër të akuzave të opozitës.
Ajo mori zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq shërbimin inteligjent shqiptar.
Përpara këtij emërimi, ajo ka pasur një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.
Pas largimit nga postet në Kosovë, ajo shërbeu për rreth dy vite si këshilltare për sigurinë kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.