“E shikoja Barçën për Messin, tani e shoh për Yamalin”, futbollisti i Atleticos çuditë me deklaratën e tij

Alex Baena ka bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke pretenduar se adoleshenti tashmë është arsyeja kryesore pse ai e ndez televizorin për të parë katalunasit.

Mesfushori i Atletico Madridit e krahasoi ndikimin e talentit të ri me atë të Lionel Messit, duke sugjeruar se Yamal ka arritur një nivel të shkëlqimit individual që e veçon nga çdo futbollist tjetër profesionist në lojë.

Në një vlerësim të jashtëzakonshëm për ngritjen e shpejtë të 17-vjeçarit, Baena pranoi se zakonet e tij të shikimit të ndeshjeve kanë ndryshuar ndjeshëm për shkak të paraqitjeve të anësorit.

Reprezentuesi spanjoll zbuloi se e ka të vështirë madje edhe t’i shikojë ndeshjet e Barcelonës nëse ylli i ri nuk është në fushë, aq e madhe është tërheqja që krijon talenti i tij.

“Për mua, Lamine është lojtari MË I MIRË në botë”, deklaroi me bindje Baena teksa fliste për ndikimin e produktit të akademisë “La Masia”.

“E kam parë shumë duke u stërvitur këtë verë. Ai bën gjëra që nuk i sheh të bëhen nga asnjë futbollist tjetër profesionist. Ai është një nga të paktët lojtarë, ndeshjet e të cilit i shikoj vetëm për ta parë atë… Kjo më ka ndodhur vetëm me Messin. E shikoj Barçën për shkak të Lamine. Nëse ai nuk luan, është shumë e vështirë për mua ta shikoj”, tha ai tutje.

Biseda në mënyrë të pashmangshme u kthye te çmimet individuale, me Baenën që u pyet të identifikonte tre lojtarët që ai beson se aktualisht janë në majën e futbollit.

Ndërsa gara për Topin e Artë është shpesh temë e debateve të mëdha, mesfushori ishte i qartë për preferencat e tij, duke i dhënë përparësi talentit të pastër dhe vazhdimësisë historike.

“Top 3 im për Topin e Artë? Lamine, Rodri dhe Messi”, konfirmoi Baena në një intervistë të publikuar nga “DAZN Futbol”.

Ai vazhdoi të shpjegonte arsyetimin pas zgjedhjeve të tij, duke shtuar: “Lamine është më i miri në botë. Rodri e dëshmoi këtë në Kupën e Botës – ndërsa Messi, me atë që po bën në moshën 39-vjeçare, është shumë e vështirë që ndonjë lojtar të bëjë të njëjtën gjë”.

Është interesante se edhe vetë Yamal kohët e fundit ka folur për ndryshimin e natyrës së çmimeve individuale dhe se si kriteret për fitimin e Topit të Artë kanë ndryshuar në epokën pas Messit dhe Ronaldos.

Adoleshenti shprehu besimin e tij se çmimi duhet t’u rikthehet rrënjëve, duke shpërblyer individët me talentin më të madh natyror dhe jo thjesht ata që grumbullojnë më shumë trofe kolektivë.

Ylli i Barcelonës së fundmi kritikoi kriteret e Topit të Artë, duke thënë: “Ky çmim gjykohet krejtësisht ndryshe tani. Kur Messi dhe Cristiano ishin aty, të gjithë e dinin se ata ishin më të mirët në botë dhe kështu çmimi kufizohej vetëm te ata të dy. Problemi sot është se njerëzit tani po gjykojnë gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me Topin e Artë, si për shembull të thonë se çmimi duhet t’i shkojë një lojtari të Paris Saint-Germainit sepse ai e fitoi Ligën e Kampionëve”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo