Shkatërrohet një grup kriminal për kontrabandim të mallrave dhe vepra penale korruptive, kallëzim penal ndaj tetë personave, konfiskohen mbi 100.000 euro, barna, suplemente dhe sende të tjera
Më 21.09.2026, nën drejtimin e PTHP për NKOK, nëpunës policorë të Departamentit për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në koordinim me Departamentin për Operacione të Posaçme Policore – Njësinë për Sistemim të Shpejtë, zhvilluan një aksion policor për shkatërrimin e një grupi kriminal të përfshirë në kontrabandimin e mallrave dhe vepra penale korruptive. Në bazë të urdhrave të Gjykatës Themelore Penale Shkup, janë realizuar bastisje në disa lokacione në Shkup, në Tetovë dhe në Gjevgjeli, me ç’rast janë privuar nga liria gjashtë persona, ndërsa gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar mbi 100.000 euro, 16 pllaka (ngjyrë ari), cigare dhe duhan pa pulla akcize, sasi më e madhe barnash dhe suplementesh, të cilat ishin futur në mënyrë të paligjshme në vend, disa telefona celularë dhe sende të tjera.
Njësia për Kriminalitet Financiar pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë drejtuar PTHP për NKOK ngriti kallëzim penal kundër tetë personave: M.S. (52) nga Tetova, Z.S. (42) nga Gjevgjelia, A.S. (38) nga Shkupi, B.L. (46) nga Tetova, E.A. (55) nga Shkupi, D.Xh. (46) nga Tetova, B.A.K. (34) dhe S.S. (42), të dy nga Republika e Turqisë, për disa vepra penale, ndër të cilat „kontrabandim“, „fshehje e mallrave që janë objekt i kontrabandimit“, „shmangie e pagesës së akcizës“, „marrje ryshfeti“, „dhënie ryshfeti“, „prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i mjeteve të dëmshme për mjekim“ dhe „pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale“.
Në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2026, i kallëzuari i parë M.S. ka organizuar futjen dhe magazinimin e paligjshëm të mallrave të akcizës – cigare dhe duhan, si dhe rishitjen e tyre të mëtejshme. Në kuadër të veprimtarive kriminale, përmes dhënies së ryshfetit nëpunësit doganor Z.S., anëtarëve të grupit u ishte mundësuar transportimi i papenguar i mallrave të akcizës përtej vijës doganore duke mos bërë deklarimin dhe pagesën e detyrimeve ligjore, si dhe futja e paligjshme e barnave dhe suplementeve, të destinuara për shitje. Me një pjesë të veprimeve të konstatuara i është shkaktuar dëm material buxhetit të shtetit, përkatësisht janë shmangur detyrimet doganore, akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar në shumë të konsiderueshme, ndërsa me lëshimin në qarkullim pa leje, udhëzim dhe recetë, një pjesë e produkteve kanë shkaktuar rrezik për shëndetin e njerëzve.









