Mickoski me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Rubio: E forcojmë partneritetin strategjik dhe i përfaqësojmë interesat shtetërore maqedonase
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në kuadër të qëndrimit në Nju Jork theksoi se pati mundësi të bisedojë me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marko Rubio, duke theksuar se bisedat e këtilla kanë rëndësi të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe SHBA-së.
„Në Nju Jork bisedova me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marko Rubio. Këto biseda kanë rëndësi të veçantë dhe konfirmojnë rëndësinë e partneritetit strategjik dhe dialogut të vazhdueshëm politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës“, theksoi Mickoski.
Ai theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel të lartë politik është mundësi e rëndësishme për shkëmbim qëndrimesh për çështjet me interes të përbashkët, thellim të marrëdhënieve bilaterale dhe forcim të mëtejshëm të pozitës së Maqedonisë si aleat i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
„Në një periudhë sfidash serioze gjeopolitike, partneritetet e forta dhe dialogu i hapur me aleatët tanë strategjikë kanë peshë edhe më të madhe. Maqedonia ka interesa të qarta shtetërore dhe vazhdon me dinjitet dhe në mënyrë parimore t’i përfaqësojë së bashku me partnerët tanë strategjikë“, theksoi Kryetari i Qeverisë.
Mickoski porositi se Qeveria vazhdon të punojë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim.
„Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin strategjik maqedono-amerikan dhe të krijojmë mundësi të reja“, theksoi Mickoski.

