Anijet ushtarake ruse janë rikthyer në portin sirian të Tartusit, vetëm një muaj pasi u raportua se bazat e Moskës në Siri do t’i dorëzoheshin autoriteteve të Damaskut. Sipas imazheve ekskluzive të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, një flotë prej disa anijesh ruse është ankoruar në port për të shkarkuar një ngarkesë të panjohur.
Në mesin e anijeve të identifikuara janë shkatërruesi “Admiral Levchenko”, anija logjistike “Sparta” dhe anija furnizuese “Akademik Pashin”. Rikthimi i tyre duket se kundërshton pretendimet zyrtare se pjesa e portit të Tartusit, që më herët ishte nën kontrollin rus, i ishte dorëzuar Sirisë për përdorim civil.
Analistët vlerësojnë se zhvillimi tregon se Moska mund të ketë ruajtur një prani ushtarake në Siri përmes marrëveshjeve pragmatike me udhëheqjen e re të vendit, pavarësisht rrëzimit të Bashar al-Assadit në dhjetor 2024.