Pistorius: Sulmi me dron ndaj trenit pranë kufirit Ukrainë-Poloni, përshkallëzim i llogaritur nga Putin

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka reaguar pas sulmit me dron ndaj një treni pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni, duke e cilësuar ngjarjen si një përshkallëzim të llogaritur nga presidenti rus Vladimir Putin për të mbjellë frikë në Evropë.

“Është edhe më e rëndësishme që të qëndrojmë të kthjellët, të mos lejojmë veten të provokohemi, por në të njëjtën kohë të mos lëmë asnjë dyshim se jemi të aftë të mbrohemi dhe nuk do të tërhiqemi nëse situata përshkallëzohet”, deklaroi Pistorius të hënën, gjatë një prononcimi për gazetarët në qytetin Wolgast të Gjermanisë verilindore.

Ministri gjerman theksoi se veprimet e presidentit rus janë të rrezikshme.

“Ai e di këtë dhe për këtë arsye po e bën”, shtoi Pistorius.

Sipas raportimeve, një dron rus goditi të dielën lokomotivën e një treni pasagjerësh pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë. Nga sulmi nuk pati viktima, pasi pasagjerët u evakuuan në kohë, ndërsa treni pësoi dëme materiale.

Në të njëjtën linjë hekurudhore kishte udhëtuar edhe ish-kryeministri britanik Boris Johnson, i cili po largohej nga Kievi pas pjesëmarrjes në një konferencë ndërkombëtare. Në tren ndodheshin gjithashtu zyrtarë të lartë evropianë, mes tyre këshilltari britanik i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Powell, dhe një këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz.

Pas ngjarjes, Boris Johnson reagoi ashpër duke kërkuar më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën.

“Kur do t’u japim atyre mbrojtjen ajrore që u nevojitet?”, deklaroi ai.

Sulmi ka shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e tensioneve në Evropë, ndërsa autoritetet dhe aleatët perëndimorë vazhdojnë të vlerësojnë rrezikun e përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo