Rita Ora nuk do të performojë në “Akordet e Kosovës”, negociatat dështuan për shkak të kostos së lartë

Rita Ora nuk pritet të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit “Akordet e Kosovës”, ndonëse organizatorët kishin zhvilluar bisedime për ta sjellë këngëtaren me famë ndërkombëtare në Prishtinë si mysafire speciale.

Sipas raportimeve të “Zëri”, organizatorët e Festivalit të Këngës në RTK, i cili nga ky vit mban emrin “Akordet e Kosovës”, kishin negociuar me menaxhmentin e këngëtares për një paraqitje të saj gjatë festivalit që pritet të mbahet në muajin tetor.

Megjithatë, bisedimet nuk kanë përfunduar me një marrëveshje.

Sipas Zeri.info, pengesa kryesore ka qenë kostoja e kërkuar për angazhimin e artistes, e cila ka rezultuar më e lartë se mundësitë financiare të organizatorëve.

Në përpjekje për ta realizuar pjesëmarrjen e saj, organizatorët thuhet se kanë shqyrtuar edhe alternativa më ekonomike, përfshirë mundësinë që Rita Ora të udhëtonte drejt Kosovës me një staf më të reduktuar.

Megjithatë, edhe ky opsion nuk ka mundur të realizohet brenda buxhetit të festivalit.

Drejtoresha e “Akordeve të Kosovës”, Arta Avdiu, ka folur për këtë çështje edhe gjatë një raportimi para Bordit të RTK-së.

Ajo ka bërë të ditur se kishte insistuar në kontaktet me familjen e artistes, pa e përmendur drejtpërdrejt emrin e saj, por se kërkesat financiare ishin përtej mundësive të festivalit.

“Nuk është që s’kam insistu me familjen e saj për të qenë, por ajo ka kosto shumë të kushtueshme. Natyrisht që ka kërkuar kosto të madhe dhe ne s’kemi pas mundësi as me mendu tutje”, ka deklaruar Avdiu.

Ndërkohë, në muajin maj të këtij viti, RTK-ja ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, përmes të cilit transmetuesi publik do të përfitojë 1.2 milion euro për një periudhë trevjeçare.

Kjo nënkupton një mbështetje prej 400 mijë eurosh në vit, duke filluar nga ky vit, mjete të destinuara për organizimin e festivalit “Akordet e Kosovës”.

Pavarësisht ndryshimit të emrit, rregullorja e festivalit mbetet e njëjtë me atë të Festivalit të Këngës në RTK.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo