Durmishi: Aktualisht nuk kam dijeni për lidhje karteli tek blerësit e produkteve bujqësore

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se aktualisht Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk ka dijeni për lidhje karteli tek blerësit e produkteve bujqësore dhe e inkurajon ministrin përgjegjës të ndërmarrë veprime nëse ka indikacione të tilla.

“Nëse ka të dhëna të tilla për lidhje në kartel gjatë blerjes së produkteve bujqësore, Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës do të dalë në terren dhe do t’i kontrollojë të gjitha shoqatat dhe do t’i gjobisë brenda mundësive ligjore”, deklaroi Durmishi, në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim në fushën e punës me Shtetin e Katarit.

Ai theksoi se çdo muaj Enti Shtetëror i Statistikës publikon të dhënat për çmimet e produkteve, ndërsa Inspektorati i Tregut i kontrollon ato në terren.

“Presim që këto ditë të publikohen të dhënat dhe të shohim se si është gjendja me çmimet në gusht. Çdo tremujor edhe Inspektorati i Tregut del në terren dhe na informon për çmimet. Do t’i krahasojmë çmimet dhe do ta informojmë opinionin publik”, tha Durmishi.

Ai rikujtoi se në korrik inflacioni ishte vetëm 0,1 për qind në nivel mujor, ndërsa 2,3 për qind në nivel vjetor, ku çmimet e produkteve ushqimore u ulën me 1,3 për qind.

I pyetur nëse po shqyrtohet ulja e TVSH-së për karburantet, Durmishi tha se për këtë është kompetent një ministër tjetër, i cili në mbledhjen e Qeverisë do të shpjegojë se si po zhvillohen gjërat.

“Në kohë krize, si Qeveri vendosëm t’i ulim çmimet e derivateve të naftës dhe t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Për dallim nga disa vende që vetëm i paralajmëruan qytetarët se çmimet do të rriten, ne ndërmorëm masa konkrete. Kur ministri kompetent të na dorëzojë informacionet, si Qeveri do të vendosim se si do të veprojmë më tej”, theksoi Durmishi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo