Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot u takua me ministrin e Punës të Shtetit të Katarit, Ali Bin
Samikh Al Marri, me të cilin bisedoi për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet dy
shteteve.
Kryetari Gashi theksoi se takimi zhvillohet në vitin kur shënojmë 30-vjetorin e vendosjes së
marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, gjë që beson se do të jetë nxitje në intensifikimin
e bashkëpunimit të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, energjetikës, turizmit dhe
arsimit.
Kryetari Gashi iu referua diplomacisë parlamentare dhe rolit të saj të rëndësishëm në ndërtimin e
marrëdhënieve diplomatike në mbarë botën, dhe se ajo është elementi thelbësor në ndërtimin e
urave ndërmjet shteteve dhe popujve, veçanërisht në kohë sfidash globale.
Ministri Al Marri shprehu mirënjohje për mikpritjen nga ana e shtetit tonë dhe theksoi se prania e tij
është konfirmim i marrëdhënieve të mira që kultivojnë të dy shtetet. Ai theksoi se nënshkrimi i
Memorandumit të Bashkëpunimit në fushën e punës ndërmjet dy shteteve do të jetë fillimi i
bashkëpunimit të ndërsjellë në më shumë fusha.
Kryetari Gashi e informoi ministrin Al Marri mbi ecurinë e ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10, duke
theksuar se lidhja rrugore, si dhe pozita gjeografike, e bëjnë shtetin tonë tërheqës për investime të
huaja.


Dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për mundësitë e lehtësimit të politikës së vizave, si dhe
për rivendosjen e lidhjes ajrore ndërmjet dy shteteve, e cila është thelbësore për intensifikimin e
bashkëpunimit në të gjitha fushat.