Ministria e Arsimit dhe Shkencës reagon ndaj konferencës së sotme për shtyp të SDSM-së,
në të cilën akuzojnë se nxënësit me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa asistentë arsimorë. Kjo
është absolutisht e pavërtetë dhe kjo parti politike, me sjelljen e saj, tregon më së miri se
çfarë do të thotë fjala hipokrizi.
Katër ministra në Qeverinë e drejtuar nga SDSM-ja për shtatë vjet nuk arritën të sigurojnë
asistentë arsimorë për të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara që ndjekin mësimin në shkollat
e rregullta fillore dhe të mesme në vend. Në vitin 2024, ministri i tyre i fundit siguroi vetëm
800 asistentë arsimorë, numër ky i pamjaftueshëm, dhe atë vetëm në arsimin fillor, ndërsa në
arsimin e mesëm nuk u angazhuan fare profesionistë që do t’ua lehtësonin procesin
edukativo-arsimor nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.
Sot situata është krejtësisht ndryshe. Janë angazhuar 1.358 asistentë arsimorë në arsimin fillor
dhe 166 në arsimin e mesëm. Ky është numri më i madh deri më tani, ndërsa është duke u
zhvilluar edhe procedura për angazhimin e një numri shtesë profesionistësh që do të ofrojnë
asistencë arsimore për fëmijët, në përputhje me nevojat e paraqitura nga prindërit e tyre.
Në drejtim të rritjes së gjithëpërfshirjes, MASH-i po i forcon edhe shërbimet profesionale në
shkolla, përmes angazhimit të kuadrit që mungonte në të kaluarën. Kështu, sot nuk ekziston
shkollë pa shërbim profesional. Paralelisht, po përmirësohet edhe qasja për personat me aftësi
të kufizuara në objektet shkollore, përmes vendosjes së rampave dhe tualeteve të përshtatura
për nxënësit me nevoja të veçanta.
Do të rikujtojmë gjithashtu se udhëheqësia aktuale e MASH-it pranoi një kërkesë
shumëvjeçare të sektorit civil, e cila është transformuar në zgjidhje sistemore dhe ka të bëjë
me sigurimin e vazhdimësisë së mësimit për nxënësit që janë në trajtim afatgjatë spitalor ose
në shtëpi, duke u mundësuar që mësimin ta ndjekin online së bashku me klasën ose që
mësuesi të punojë individualisht me ta. Me këtë, niveli i gjithëpërfshirjes në arsim është
ngritur edhe më tej.
Nga viti i ri akademik, është paraparë edhe ndarja e një lloji të ri bursash për studentët me
aftësi të kufizuara dhe për studentët me sëmundje të rralla, me çka do t’u përgjigjemi
kërkesave të shoqatave dhe aleancave të tyre, ndërsa politikat e bursimit do t’i ndjekin
kërkesat e BE-së.
Kjo është dallimi në menaxhimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës deri në vitin 2024 dhe
në krijimin e politikave arsimore dhe politikave për gjithëpërfshirje më pas.
Sa u përket shkollave në zonat rurale që përkohësisht mbyllen për shkak se nuk kanë nxënës
të regjistruar, do të rikujtojmë se kjo është pikërisht rezultat i politikave të tyre shkatërruese,
si pasojë e të cilave, gjatë shtatë viteve, numri i nxënësve u ul për 17 mijë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës