Ish-ylli i Milanit, Zvonimir Boban, mendon se “nuk ka progres” te Milani, përveç guximit për të luajtur futboll sulmues.
Ai pranon se është “fans” i projektit të Comos, ndërsa Barcelonën, PSG-në dhe Bayern Munichun i sheh si skuadrat më të mira në Evropë.
“Arsenali është favoritja ime e katërt për ta fituar Ligën e Kampionëve”, tha ai.
Milani ishte klubi që shpenzoi më së shumti në Serie A gjatë afatit kalimtar të verës, duke investuar rreth 165 milionë euro në transferime të reja, përfshirë Gonçalo Ramosin nga PSG-ja për 75 milionë euro dhe Diego Moreiran për 65 milionë euro, të dyja shifrat duke përfshirë bonuset.
“Rossonerët” i kanë fituar dy ndeshjet e para të sezonit në Serie A, duke mposhtur Torinon 2-1 në transfertë dhe Venezian 2-0 në shtëpi.
Megjithatë, Boban ende mendon se “Rossonerët jan”ë larg skuadrave më të mira në Itali.
“Për vite me radhë, Milani nuk ka bërë gjëra që i ngjajnë Milanit, në asnjë aspekt”, deklaroi presidenti i Dinamo Zagrebit për “Gazzetta”.
“Nuk shoh asnjë progres, përveç guximit dhe dëshirës për të luajtur futboll sulmues. Vitin e kaluar, ata humbën ndaj Cagliarit sepse gjatë gjithë sezonit kishin luajtur futboll defensiv; kur erdhi momenti, nuk ishin në gjendje ta dominonin ndeshjen. Ramosi u ble për një çmim disproporcional; nga ana tjetër, ai lëviz mirë në kërkim të golit dhe ka nuhatje për golin, por jemi ende larg cilësisë që mund ta ndryshojë dimensionin e skuadrës. Përkundrazi, më emocionoi historia e Cisses, një djalosh i ri që erdhi nga askundi falë talentit të tij”, shtoi ai.
Boban është gjithashtu mjaft kritik ndaj futbollit italian.
“Sa i përket ideve, jemi larg Evropës dhe konceptit të saj për shpejtësinë. Futbolli italian nuk është shumë sulmues, po bëhet gjithnjë e më fizik dhe më pak proaktiv”, tha ai.
“Pas epokës së Sacchit, 90 për qind e skuadrave që fitonin luanin me katër mbrojtës dhe dy lojtarë në krahë, ndërsa në Itali luhet një ‘catenaccio’ i modernizuar me mbrojtje me tre lojtarë. U takon klubeve ta ndryshojnë drejtimin; federata nuk mund ta imponojë këtë”, vazhdoi ai.
Legjenda kroate, megjithatë, sheh një shembull inkurajues në Serie A: “Como. Jam fans i projektit dhe mënyrës se si Fàbregas po e drejton skuadrën. Dhe pastaj është Baturina, një djalosh nga Dinamo Zagrebi, ashtu siç isha edhe unë”.
Championsi rikthehet javën e ardhshme dhe mes ndeshjeve të mëdha të xhiros së parë të fazës së ligës janë Napoli – Arsenal dhe Real Madrid – Inter.
Boban u pyet për favoritët e tij për ta fituar kompeticionin: “Barcelona, PSG-ja dhe Bayerni janë më të mirat, ndërsa Yamal do të ishte zgjedhja ime për Topin e Artë: ka një talent absurd; është ende fëmijë, por natyrshmëria me të cilën luan është unike”, u përgjigj ai.
“Mes skuadrave angleze, do të thosha Arsenali: është favoritja ime e katërt. Jam kurioz; formati i ri ka rezultuar tërheqës dhe komentimi i ndeshjeve është gjithmonë kënaqësi”, shtoi ai.
Boban foli gjithashtu për vendimin e Manchester Cityt për të emëruar Enzo Marescan pas Pep Guardiolës, duke thënë se kjo “ka logjikë”, duke pasur parasysh “idenë e tij propozuese për futbollin”.
Megjithatë, ai pranoi se ishte befasuar nga Luis Enrique: “Ai tashmë është padyshim pjesë e historisë: bëri një mrekulli; nuk mendoja se ishte aq i mirë”, përfundoi Boban. “Më bëri përshtypje mënyra se si ai gjeti një vend për Dembélén, i cili te Barcelona nuk e kuptonte se si të bashkëpunonte me të tjerët. Për mua, ai duket se i përket të njëjtës kategori me Kovacs, Sacchi, Cruijff, Guardiola dhe Capello: të mëdhenjtë”, e mbylli ai.