Natë ferri në Himarë/ Digjen dy banesa dhe rrezikohen rreth 40 të tjera, thirrje urgjente për largimin e banorëve (VIDEO)

Zjarri përhapet me shpejtësi pranë lagjes “1 Maji”, era vështirëson ndërhyrjen dhe drejt Himarës nisen përforcime nga Vlora, Saranda, Delvina e Finiqi.

Kryebashkiaku Vangjel Tavo u kërkon banorëve të largohen nga zonat e rrezikuara
Një situatë alarmante është krijuar mbrëmjen e së premtes në Himarë, ku një zjarr me përmasa të mëdha po avancon drejt zonave të banuara. Flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat pranë lagjes “1 Maji”, duke rrezikuar rreth 40 banesa dhe sipërfaqe të konsiderueshme me pemëtari.

Deri më tani raportohet se dy banesa janë djegur, ndërsa beteja kryesore e forcave në terren është përqendruar në pengimin e avancimit të zjarrit drejt shtëpive të tjera.

Përballë rrezikut, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka lëshuar një thirrje urgjente për banorët, duke u kërkuar të largohen nga shtëpitë, bizneset apo ambientet e tjera që mund të kërcënohen nga flakët.

“Për shkak të zjarrit të papritur që po përparon drejt zonave të banuara, ju bëjmë thirrje të largoheni nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën.

Ju lutemi, kërkoni ndihmën e organeve të Policisë së Rendit, Policisë Bashkiake, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore në çdo kohë. Ruani qetësinë dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve!”, apeloi Tavo.

Situata vështirësohet nga era e fortë, e cila po favorizon përhapjen me shpejtësi të flakëve dhe po e bën më të komplikuar ndërhyrjen e zjarrfikësve.

 

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo