UEFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Mason Greenwood pas incidenteve që ndodhën pas ndeshjes së Fenerbahces kundër Lyonit në Ligën e Kampionëve.
Klubi turk u detyrua të reagojë publikisht pasi UEFA konfirmoi se ka nisur hetime për sjelljen e Greenwoodit dhe Matteo Guendouzit gjatë skenave të tensionuara pas përfundimit të ndeshjes.
Fenerbahce kishte siguruar një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Lyonit në “Groupama Stadium”, rezultat që i mundësoi skuadrës turke të kalojë tutje me rezultat të përgjithshëm 3-2.
Megjithatë, tensionet më të mëdha shpërthyen pas fishkëllimës së fundit.
Guendouzi provokoi tifozët, situata doli jashtë kontrollit
Matteo Guendouzi, i cili më parë kishte luajtur për rivalin e madh të Lyonit, Marseille, nisi të provokonte tifozët vendas gjatë largimit nga fusha.
Veprimet e tij shkaktuan kaos në fushë dhe më pas në tunel, ndërsa një person i veshur me uniformë sportive të Lyonit u pa duke tentuar ta godiste Guendouzin me një goditje fluturuese.
Në qendër të incidenteve ishte edhe Mason Greenwood, ish-futbollisti i Manchester Unitedit, i cili iu bashkua Fenerbahces gjatë verës me kontratë katërvjeçare pas aventurës së tij te Marseille.
Fenerbahce konfirmoi përmes një komunikate zyrtare se UEFA ka nisur procedurë disiplinore ndaj të dy lojtarëve, por edhe ndaj vetë klubit.
“Pas ndeshjes së kthimit në fazën ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve, UEFA ka nisur procedurë disiplinore ndaj futbollistëve tanë Matteo Guendouzi dhe Mason Greenwood, si dhe ndaj klubit tonë”, thuhet në komunikatë.
“Klubi ynë do të paraqesë mbrojtjen e nevojshme para organeve përkatëse të UEFA-s, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të lojtarëve tanë dhe të Fenerbahces.”
“Informacionet, dokumentet dhe argumentet e nevojshme do t’i dorëzohen UEFA-s, ndërsa zhvillimet do të ndiqen nga afër nga klubi ynë.”
Çfarë dënimesh mund të ketë?
Ende nuk dihet saktësisht se çfarë dënimi mund të marrin Greenwood, Guendouzi apo Fenerbahce.
Në rast se UEFA i gjen përgjegjës, lojtarët mund të përballen me pezullime nga ndeshjet dhe gjoba financiare.
Ndërkohë, klubi turk mund të dënohet me gjobë, ndërsa në një skenar më të rëndë mund të ketë edhe kufizime për tifozët në ndeshjet jashtë fushe.
Guendouzi: “Më ofenduan familjen për 90 minuta”
Pas ndeshjes, Guendouzi foli për incidentet dhe deklaroi se reagimi i tij kishte ardhur pasi tifozët vendas kishin ofenduar familjen e tij.
“Kur ke 60 mijë njerëz që të ofendojnë familjen, nënën dhe fëmijët, madje që para fillimit të ndeshjes, dhe askush nga ekipi i arbitrave nuk reagon, është shumë e vështirë”, deklaroi ai.
“Sikur kjo të ndodhte në Francë, në një moment do të kërkohej nga tifozët të ndalonin dhe ndeshja mund të ndërpritej. Për 90 minuta, madje edhe më gjatë nëse llogarisim nxehjen, ata vazhduan ta ofendonin familjen time.”
“Kur ndodh diçka e tillë, të prek. Nëse doni provokime, atëherë ato funksionojnë në të dyja anët. Ata ofenduan nënën dhe familjen time dhe për mua kjo ishte mungesë respekti.”
Trajneri i Fenerbahces gjithashtu doli në mbrojtje të Guendouzit dhe Greenwoodit.
“Si skuadër, të gjithë qëndruam së bashku për ta mbështetur Guendouzin. Mbështetja iu dha. Kjo është ajo që do të thotë të jesh ekip”, deklaroi ai.
Fenerbahce do ta nisë sezonin e Ligës së Kampionëve më 10 shtator, kur do ta presë Romën në stadiumin “Sukru Saracoglu.