Aubameyang largohet nga kombëtarja e Gabonit: “Më poshtëruan dhe ma njollosën imazhin”

Pierre-Emerick Aubameyang ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Gabonit, vetëm disa muaj pasi ishte lënë jashtë skuadrës pas eliminimit zhgënjyes në Kupën e Kombeve të Afrikës 2025 në Marok.

Sulmuesi 37-vjeçar dhe golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses gaboneze ka bërë të ditur se mënyra se si është trajtuar nga drejtuesit pas turneut e ka shtyrë drejt këtij vendimi.

Në një intervistë televizive, të cituar nga rrjeti francez “RMC”, Aubameyang deklaroi se ndihej i poshtëruar nga mënyra se si ishte trajtuar.

“Më poshtëruan dhe ma njollosën imazhin, edhe pse mora pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës duke qenë i dëmtuar. Kjo ishte pika e fundit dhe preferoj të ndalem këtu”, tha kapiteni i Gabonit.

Vendimi i tij vjen përpara ndeshjes kundër Marokut, e paraparë për 23 shtator në kuadër të xhiros së parë të Grupit 1 të kualifikimeve për Kupën e Kombeve të Afrikës 2027.

Aubameyang u bë një nga figurat e fajësuara për dështimin

Aubameyang ka mbetur i pakënaqur pasi u konsiderua pjesërisht përgjegjës për paraqitjen e dobët të Gabonit në Kupën e Kombeve të Afrikës 2025.

Gaboni u eliminua në fazën e grupeve pas tri humbjeve, ndërsa disfata e fundit erdhi me rezultat 3-2 ndaj Bregut të Fildishtë.

Pas eliminimit, presidenti i Gabonit, Brice Clotaire Oligui Nguema, deklaroi se rezultati kishte cenuar një pjesë të identitetit kombëtar.

Qeveria më pas mori një sërë vendimesh drastike, përfshirë shpërndarjen e stafit teknik, pezullimin e aktivitetit të kombëtares deri në një njoftim të ri, si dhe përjashtimin e Aubameyangut dhe bashkëlojtarit të tij 38-vjeçar Bruno Ecuele Manga.

Vendimi për t’i lënë jashtë dy kapitenët veteranë shkaktoi reagime të shumta mes tifozëve të Gabonit.

Aubameyang atëherë ishte përgjigjur duke thënë: “Besoj se problemet e kombëtares janë shumë më të thella sesa personi im.”

Një kapitull i ri me Deportivo La Coruñan

Paralelisht me largimin nga kombëtarja, Aubameyang ka nisur edhe një kapitull të ri në karrierën e tij në Evropë.

Ai u largua për herë të dytë nga Olympique Marseille dhe iu bashkua Deportivo La Coruñas, skuadër që është rikthyer në elitën e futbollit spanjoll pas një mungese të gjatë.

Sulmuesi gabonez ka realizuar tashmë tri gola për klubin e tij të ri.

Trajneri i ri i Gabonit, Sébastien Migné, tani duhet ta përgatisë skuadrën pa kapitenin dhe golashënuesin më të mirë të historisë së përfaqësueses.

Pasi nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2026, objektivi i radhës i Gabonit do të jetë sigurimi i një vendi në Kupën e Kombeve të Afrikës 2027, që do të zhvillohet në Kenia, Tanzani dhe Ugandë nga 19 qershori deri më 17 korrik.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo